4tetor 2015 – Serbia ka vendosur të përballet me përfaqësuesen e Gianni De Biasit duke grumbulluar edhe një lojtar me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Miralem Sulejmanin, i cili është rikthyer në skuadër. Trajneri Radovan Curcic publikoi listën me 24 futbollistët e grumbulluar për sfidën e 8 Tetorit në Elbasan Arena, por edhe për ndeshjen e fundit ndaj Portugalisë.

26-vjeçari Sulejmani, karriera e të cilit ka pësuar rënie të dukshme nga Ajax e Benfica për të luajtur te Young Boys është kthyer në skuadër prej mungesave të shumta të serbëve. Për shkak të dëmtimeve trajneri Curcic është detyruar të ndryshojë disa herë listën. Ai nuk do të ketë në dispozicion katër futbollistë, mbrojtësin e Schalkes, Nastasic dhe atë të Torinos, Maksimovic, mesfushorin e Stuttgartit, Kostic dhe ish-yllin e Liverpool, tashmë lojtar të Fenerbahçe-s, Markovic.Një tjetër problem për serbët është edhe dëmtimi i yllit të Chelsea-s, Nemanja Matić, i cili është në dyshim. Në grumbullimin e skuadrës të hënën, stafi mjekësor do të shprehet nëse mesfushori është në gjendje të luajë. Për shkak të mungesave në skuadër janë grumbulluar dy debutues, Milinkovic dhe Savic, që kanë luajtur me ekipin U-21.

Përsa i takon ndeshjes, Curcic u shpreh se “ekipi serb do të japë maksimumin për tu përfaqësuar sa më mirë në dy sfidat e fundit kualifikuese”.Sipas teknikut “kundër Shqipërisë lojtarët do të japin maksimumin dhe do të jenë ambasadorët e vërtetë të Serbisë”. Curcic vlerësoi edhe përfaqësuesen kuqezi. Sipas tij “Shqipëria është e motivuar, ka futbollistë që luajnë në ligat më të mira, por mbi të gjitha ka një skuadër shumë të fort”.

/portali DurresLajm/