2 tetor 2015 – Velimir Simaniç, guzhinieri, pjesë e stafit të kombëtares serbe prej 25 ndeshjesh, hedh poshtë aludimet e medias serbe, se gjoja ai do të udhëtojë bashkë me ekipin nga frika e ndonjë helmimi të mundshëm të futbollistëve në Shqipëri.
“Nuk kemi asnjë frikë për helmim. Kjo është një procedurë rutinë. Nuk është hera e parë që unë jam pjesë e delegacionit përfaqësues.
Ne nuk shkojmë në vendet ku luan kombëtarja jonë për të gatuar ushqimet tona. Ka pasur një spekulim në lidhje me këtë. Unë thjesht shkoj atje, sepse e di mirë se si ushqehen futbollistët e mi dhe në njëfarë mënyre jap sugjerime, apo orientoj për ushqimet që duhet t’i serviren ekipit. Në Shqipëri, skuadra jonë do të ushqehet me produkte vendëse. Nuk kemi ndërmend të marrim ushqim nga Serbia”, mësohet të ketë thënë Simaniç.
Guzhinieri i kombëtares serbe, rrëfen se ai do të jetë thjesht një kontrollor, apo një kujdestar për menynë që do të përgatitet dhe do t’u serviret futbollistëve, një praktikë kjo e njohur edhe nga mjaft vende të tjera.
Ndërkohë, Velimir Simaniç do të deklaronte se veç profesionit të guzhinierit, ai ka edhe licensën e trajnerit, ndaj edhe e shumë mire se si duhet të udhqehem futbollistët.
“Mos më nënvleftësoni. Nuk jam vetëm kuzhinier, por kam edhe licensë trajneri. Kjo të ndihmon shumë që të servirësh ushqimet e nevojshme për futbollistët”, ka treguar ai edhe “profesionin” e dytë të tij.
/portali DurresLajm/