2 tetor 2015 – Nga Beogradi në Moskë. Një vit pas skandalit të dhunës dhe racizmit nga huliganët serbë, Orges Shehi përjetoi të njëjtat thirrje antishqiptare edhe në Rusi. Episodet në stadiumin e “Lokomotivës” i kthyen në mendje ngjarjen e kaluar, ndërsa portieri zbuloi edhe atë që ndodhte në fushë gjatë racizmit të huliganëve rusë.
“Për pak momente mu kujtua ajo histori shumë e trishtueshme për të gjithë shqiptarët. Ishte Radas ai që shkoi te gjyqtari duke i thënë që këto janë thirrje raciste. Në pjesën e dytë unë shkova te arbitri i portës për ta sinjalizuar për thirrjet e tjera edhe ai më tha që e dinte se ato ishin thirrje raciste” tha portieri. Një prej atyre që i përjetoi më keq thirrjet anti-shqiptare ishte Bernard Berisha. Mesfushori që bëri për vete drejtuesit e klubit rus me shpërthimet në krah, ka një mesazh për ata që bërtisnin në tribuna. “Nuk ishte aspak e rergullt ajo që përjetuam, nuk duhet përfshirë politika në sport. Sa i përket të tjerave, që Kosova nuk është Serbi këtë e dimë të gjithë”.
Ngjarjet në Moskë janë nga ato që absolutisht nuk duhet të përsëriten në Elbasan Arena më 8 tetor, për sfidën me Serbinë. Çdo gjë që nuk ka lidhje me lojën rrezikon ëndrrën e Shqipërisë drejt Europianit 2016 dhe Shehi e Berisha kanë një mesazh për tifozët kuqezi.
“E kuptoj që shqiptarët janë të ndjeshëm për atë që ndodhi. Por, shqiptarët duhet të jenë të përmbajtur dhe duhet të tregojnë qytetari. Do ti bëj thirrje shqiptarëve të distancohen, ndërsa ne futbollistët në fushë do të kërkojmë tre pikët për të realizuar ëndrrën. Tifozët duhet të mbështesin skuadrën dhe mos të merren aspak me kundërshtarët, për ti treguar atyre sa ndryshe jemi. Kjo nuk do të ndodhë në Shqipëri, pasi dihet që ne jemi njerëz mikpritës dhe besoj që shqiptarët do tregojnë edukatën që kemi dhe mendoj që do ti mahnisim të gjithë me mbështetjen ndaj Kombëtares tonë. Nuk do të ketë vend politika dhe jam i bindur që do t’ia dalim”, deklaroi Berisha.
/portali DurresLajm/