30 shtator 2015 – Dëmtohet Lorik Cana. Kapiteni i Kombëtares përdrodhi kaviljen e këmbës së majtë gjatë ndeshjes mes Lille dhe Nantës, ku la fushën duke çaluar në minutën e 56-të dhe ende nuk ka një parashikim të saktë mbi kohën e rikuperimit.
Duhej të ishte një ndeshje normale futbolli, por papritmas u kthye në shqetësimin kryesor të mbrëmjes për tifozët shqiptare, luhej pjesa e dytë e Lille- Nantes ndeshje e prapambetur e javës së 8 të Ligue 1, në minutën e 53-të Lorik Cana ka një duel me Baptiste Guillaume, kapiteni i Kombëtares Shqiptare rrëzohet pak hapa pas kontaktit dhe mbetet i shtrirë në fushë.
Mjekët nxituan ta ndihmonin, por në fytyrën e Canës dukej qartë dhimbja, përsëritjet e imazheve sqaruan gjithçka, në rënien pas duelit Cana përdredh kaviljen e këmbës së majtë. Në minutën e 56-të u detyrua të dalë nga fusha e “Pierre Mauroy” duke çaluar me mjekët që e mbanin për krahu, dhe i vetmi sinjal pozitiv në momentin e daljes është se duket që Cana edhe pse ndien dhimbje arrin të mbështesë këmbën e majtë në tokë.
Në mungesë të një lajmërimi zyrtar nga ana e Nantes dhe të informacioneve në mediat franceze është e pamundur të hipotetizohet mbi kohën e rikuperimit. Ndeshja me Serbinë luhet në 8 tetor dhe deri atëherë mbeten pak ditë. Cana shpreson që t’ja dalë për të qenë në fushë, por në rast të kundërt mungesa e tij do të ishte një problem jo i vogël për De Biasin që nuk ka në dispozicion as Mërgim Mavrajn, i dëmtuar prej disa muajsh. Për sa i përket ndeshjes së Ligue 1, ku Ermir Lenjani qëndroi në stol, Nante siguroi fitoren e parë pas 4 disfatash në shifrat 0-1 me gol të Ilokit.
/portali DurresLajm/