29 shtator 2015 – Më 8 tetor, në “Elbasan Arena”, do të luhet ndeshja e parafundit në grupin I, për eliminatoret e Euro 2016-s, Shqipëri-Serbi, me vlera përcaktuese për Kombëtaren tonë kuqezi për në finalet e Francës. Shqipëria është në kuotën e 11 pikëve, në garë me Danimarkën (12 pikë), që po këtë ditë do të luajë transfertën ndaj Portugalisë (15 pikë), ndërkohë që Serbia, nuk ka asnjë interes për këto finale, pasi renditet në vendin e fundit në grup me 1 pikë.
Shqipëria dhe Serbia, edhe pse fqinje, për shkaqe krejtësisht politike të primitivitetit ballkanik, pak herë janë ndeshur ndërmjet njera-tjetrës.
Duke përjashtuar 14 tetorin e shëmtuar dhe të turpshëm të vitit të shkuar në Beograd, që besojmë më 8 tetor në “Elbasan Arena” të hapi një faqe të re në historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe prosperitetit midis të dy vendeve fqinje, Shqipëria dhe Serbia, ish-Jugosllavia asokohe, janë takuar për të fundit në eliminatoret e kampionatit europian të vitit 1968, finalet e të cilit u zhvilluan në Itali. Që shkoi Jugosllavia në këto finale, shkas për këtë u bë Shqipëria. Më saktë, ka qenë 17 dhjetori vitit 1967, kur kuqezinjtë tanë, në ndeshjen e fundit eliminatore për grupin e 4-t, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia, barazuan 0-0 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” me nënkampionët e botës, Gjermaninë Perëndimore, duke i hapur rrugën dhe çuar Jugosllavinë në finalet e europianit italian të vitit 1968. Pas barazimit 0-0 në Tiranë, që është konsideruar një sensacion në futbollin europian në atë kohë, Gjermania mbeti në kuotën e 5 pikëve, ndërkohë që Jugosllavia, i kishte përfunduar ndeshjet e saj dhe me 6 pikët e mbledhura, priste në mësonte fatin e saj nga përfundimi i ndeshjes në Tiranë. Meqë është rasti, ja skeda teknike e marrë nga gazeta “Sporti Popullor”, e cila shkruan për barazimin 0-0 historik të 17 dhjetorit të vitit 1967, midis Shqipërisë dhe RF Gjermane, e cila kualifikoi Jugosllavinë për finalet e europianit të Italisë, më 1967.
RP e Shqipërisë – RF e Gjermanisë 0:0
– Skuadra jonë luajti për 60 minuta me 10 lojtarë –
RP E SHQIPERISE: Dinella, Gjinali, Jorgaqi, Vaso, Rragami, Shllaku, Pano, Mema, Zhega, Kazanxhi, Bizi. Trajner: Loro Boriçi.
RF GJERMANE: Volter, Packe (2), Shulc (5), Veber (6), Hotges (3), Overat (10), Netzer (4), Held (7), Kypers (8), Majer (9) Lohr (11). Trajner: Helmut Shën.
GJYQTARË: Ferdinand Marshall (kryesor) dhe Franc Verer e Jozef Titel (që të tre austriakë).
Më 17 dhjetor në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit. Kohë e mirë dhe terren i rregullt. 30.000 spektatorë. Korner 3:3.
/portali DurresLajm/