Bizneset dhe transportuesit ngrenë alarmin për masat e doganës
23shtator 2015 – Ushqimet që vijnë nga importi po marrin rreze para se të hyjnë për konsum në Shqipëri e në vendet fqinje. Grupet e biznesit dhe shoferët që kanë sjellë sot mallra ushqimorë nga jashtë me destinacion tregun shqiptar kanë dhënë alarmin për veprimet e sotme të doganës.
“Në kundërshtim me cdo ligj e standart të BE, dogana shqiptare po vë në rrezik shëndetin e popullatës në Shqipëri. Në shërbimin e skanimit në portin e Durrësit, po kalojnë të gjithë produktet ushqimore pa asnjë dallim, duke marrë rreze, skandal ky që kërkon vëmendjen e të gjthë strukturave të shtetit, kur bëhet fjalë për sigurinë e shëndetit të popullatës. Gjatë paradites së sotme me dhjetëra kamionë frikogriferikë ose jo, i janë nënshtruar skanimit, gjë e cila nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës bëjnë me dije transportuesit dhe bizneset. As në Itali, Greqi , Gjermani në asnjë shtet nuk ndodh që mishi, peshku, dhe produktet e tjera të destinuara në supermarkete për popullatën të skanohen. Vetëm në Shqipëri po ndodh kjo situatë e rëndë”, shprehen biznesmenët dhe shoferët. Sipas tyre, në skaner po futen e kamionët transit me produkte ushqimore për në Maqedoni Bullgari, Kosovë e më tej.
Sinan Muça, biznesmen dhe përfaqësues i shoqatës së transportuesve ANALTIR, deklaron se skandalet në doganë nuk kanë fund. “Pas vjedhjes së hapur që i bëhet biznesit shqiptar me vendosjen e tarifës 22 euro për shërbimin e skanimit, tashmë në rrezik është shëndeti i popullatës. Konsumatorët po konsumojnë produkte ushqimore që kalojnë në rreze, askush nuk di të thotë ç’po ndodh. Nuk duhet të konsumophen mallrat e importit sepse rrezikojnë jetën konsumatorët”.
Paraditen e sotme traun e skanerit e kanë kaluar së paku 15 trajlera, të ngarkuar me peshk, mish, sallameri dhe produkte të tjera, krahas qymyrit, lëndës së parë për rrobaqepësitë, rrobave të përdorura etj. Shqetësimi po ngrihet gjithnjë e më shumë nga importuesit, agjensitë doganore dhe transportuesit, por shqetësimi ka rënë në vesh të shurdhër. Të gjitha ligjet në fuqi të sigurisë ushqimore janë shkelur me të dy këmbët nga dogana.
Një shofer që ka sjellë produktet tregon se ai vetë, ushqimet dhe tiganin që gatuan e ka mbajtu 300 metra larg skanerit. “Nuk mund t’i mbaj në kabinë ushqimet dhe ujin e pijshëm. Rrezet e skanet e bëjnë të pakonsumueshëm çdo produkt. Shteti na kërkon të kontrollojë produktet në skaner dhe i skanojmë. Këto që do ha vetë po i lë jashtë, këtu në shesh. Nuk dihet çdo të bëhet me popullatën, sepse në doganë, po ndodhin skandale të padëgjuara më parë”, shprehet ai.
Më poshtë konkretisht ligjet e shkelura për kontrollin e produkteve ushimore në kufij:
Në bazë të ligjit Nr.9863, datë 28.1.2008 për sigurinë ushqimore në Republikën e Shqipërisë
Neni 16
Mbikëqyrja e sigurisë së ushqimeve të importit 1. Kontrolli i përputhshmërisë së dokumentacionit shoqërues, sipas nenit 18 të këtij ligji, të ngarkesave të ushqimeve me origjinë shtazore të importuara me kërkesat e legjislacionit shqiptar kryhet në pikat e inspektimit kufitar nga inspektorët veterinarë të sigurisë ushqimore të kufirit. Kur vërehen mangësi në dokumentacion, malli bllokohet. 2. Kontrolli i sigurisë së ushqimeve të importuara kryhet në pikat e inspektimit kufitar. Gjatë kontrolleve merren mostra për analizim. Kontrollet, marrja e mostrave dhe analizimi i tyre bëhen sipas kritereve të hartuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. 3. Pikat e inspektimit kufitar për ushqimet përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Neni 17
Kontrolli në doganë i ushqimeve të importuara 1. Autoritetet doganore kryejnë procedurat doganore për ngarkesat ushqimore, pasi inspektorët e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në pikat e inspektimit kufitar, kanë dhënë miratimin. 2. Ngarkesa e ushqimeve, për të cilën ka dyshime, duhet të mbahet në ruajtje, brenda standardeve të lejuara, në magazinat doganore derisa të kryhen procedura e përcaktimit të sigurisë së tyre dhe procedura doganore. 3. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë, në pikat e inspektimit kufitar, për të verifikuar sigurinë e ushqimit të importuar, ka të drejtë të marrë mostra pa pagesë dhe t'i dërgojë ato në laboratorët e autorizuar për kryerjen e analizave, në bazë të planit të hartuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe të miratuar nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Rregullat e marrjes së mostrave përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 4. Shpenzimet për marrjen e mostrave dhe për kryerjen e analizave laboratorike përballohen nga importuesi. Tarifat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministrit të Financave.
/portaliDurresLajm/





