23 shtator 2015 – Bie nga skelat e një pallati në qendër të Durrësit një punëtor ndërtimi.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen nr. 4, në zonën e njohur si “Valuta”, ku 22-vjeçari me iniciale B.V. ka rënë nga kati i katërt i pallatit që është në ndërtim e sipër.
Policia e Durrësit njofton se shkak për rrëzimin e të riut është bërë këputja e skelës mbi të cilën po qëndronte punëtori. Djali me banim në lagjen nr. 13, është dërguar në spitalin e qytetit dhe fatkeqësisht raportohet se ka ndërruar jetë.
Për portalin “DurresLajm”, dëshmitarë nga vendngjarja tregojnë se incidenti i sotëm tmerroi gjithë të pranishmit, në momentin që panë punëtorin e ri të përplasej në tokë në mënyrë tragjike.
Disa prej tyre nxituan për t’i dhënë ndihmën e parë 22-vjeçarit dhe thonë që kjo fatkeqësi mund të ishte ndalur në rast se nuk do të kishte mungesë të kushteve të sigurisë.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
/S.L. portali DurresLajm/





