19shtator 2015 – I jep fund jetës për shkak se inspektorët e Drejtorisë së Tatimeve dhe Policia e Shtetit i kërkonin të mbyllte servisin pasi nuk ishte i pajisur me kasë fiskale. Viktima është Eljon Nonaj, 31 vjeç, babai i dy fëmijëve. Nonaj i ka dhënë fund jetës duke kapur me duar një kabull elektrik brenda ambienteve të servisit që kishte marrë me qira, duke i dhënë fund jetës.
Dëshmitarët treguan se ngjarja ka ndodhur në pasditen e 18 shtatorit në orën 18:30 në rrugën “Besim Alla” në zonën e “Misto Mames”, Kombinat. Duke ju referuar dëshmive të tyre dhe familjarëve të viktimës, Eljon Nonaj pasditen e djeshme ka pasur në servisin e tij, ku lyente dhe rregullonte automjete, disa inspektorë të tatimeve dhe efektivë të policisë.
Me këta zyrtarë ai ka pasur debate, pasi inspektorët e kanë kërcënuar me arrestimin e tij nëse ai nuk do pajisej me kasë fiskale dhe të paguante taksat në shtet. I vënë në presion nga tatimorë dhe kërcënimin se do e arrestonin, babai i dy fëmijëve të mitur pasditen e 18 shtatorit i ka dhënë fund jetës, duke kapur me duar një kabull elektrik.
Ngjarja ka shokuar të gjithë banorët e lagjes “Misto Mame” në Kombinat. Syri.net shkruan se, ata rrëfyen se 31-vjeçari ishte personi i vetëm që punonte në familje dhe se servisin e kishte marrë me qira. Ndërkohë për të banuar jetonte në një shtëpi me qira në rrugën “Llazi Miho” në Kombinat. Varrimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme në orën 15:00.
Ndërkohë kjo ngjarje është pasqyruar edhe në komunikatën e policisë së Tiranës e cila e ka cilësuar ngjarjen si aksidentale. Më datë 18.09.2015, rreth orës 18.30, në rrugën “Besim Alla“, në servisin e marrë me qira, është gjetur i vdekur shtetasi E.N, vjeç 31, banues në Tiranë. Nga veprimet e kryera rezulton se shkaku i vdekjes ka qenë goditja nga rryma elektrike. Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim…”.
/portali DurresLajm/





