17 shtator 2015 – Besoi te dashuria në pleqëri, rumunia braktiset nga të dyja familjet. Ajo është e shtruar në spitalin e Durrësit dhe prej tri vitesh nuk e viziton asnjë i afërm.
Silvi, aktualisht 62 vjeçe, me origjinë nga Rumania, për t’u bërë bashkëshortja e Asllan Patriotit, pak vite më parë braktisi të shoqin gjerman, me të cilin kishin edhe katër fëmijë, shkruan e përditshmja "Panorama".
Asllan Patrioti është një personazh i njohur për publikun shqiptar, për shkak të përplasjeve me institucionet e shtetit, pasi i akuzonte se nuk po silleshin në mënyrë njerëzore me ish-të përndjekurit politikë. Aktualisht ai ndodhet në burg prej dy vitesh pasi akuzohet për veprën penale të “mashtrimit”.
Tragjedia e tyre daton këtu e tri vite më parë, kur Silvit i ra trombozë pak ditë pasi Asllani tentoi të vetëdigjej, për të drejtat si ish-i burgosur. Asllani tentonte shpesh të vetëdigjej, lajm i cili u trajtua gjerësisht në të gjitha mediat, fakt ky që rëndoi psikologjikisht rumunen. Pak kohë më vonë Silvi mbeti edhe pa gojë.
Bashkëshorti gjerman dhe fëmijët nuk kanë asnjë kontakt me të moshuarën dhe ajo ndodhet sot e kësaj dite e braktisur në spitalin e Durrësit. Bluzat e bardha kanë bërë disa herë thirrje që dikush duhet ta marrë në patronazh rumunen, pasi spitali nuk e ka për detyrë ta mbajë në ambientet e tij, por ende asgjë.
Ajo është e paralizuar dhe kërkon shërbim ekstra nga stafi mjekësor. Me këtë paciente, infermieret kryejnë vetëm rolin e dados, ose e thënë ndryshe atë të kujdestarit.
/portali DurresLajm/





