17 shtator 2015 – Lirohet nga burgu Orialda Kajtazi, një prej dy motrave nga Durrësi, të cilat u arratisën nga banesa e tyre në Spitallë pasi helmuan prindërit, dogjën shtëpinë dhe vodhën kursimet e familjes. Një histori që bëri bujë në të gjithë vendin.

Gjykata e Apelit në Durrës ka vendosur paraditen e djeshme lirimin e 18-vjeçares, e cila prej një muaji qëndronte në burgun e grave në Tiranë, duke i dhënë masën “Detyrim Paraqitje” një herë në javë para oficerit të policisë gjyqësore.

Gjatë zhvillimit të seancës, mësohet se Orialda ka shprehur pendesë të thellë për veprimet që kreu dhe me lot në sy u kërkoi falje prindërve për të gjitha shqetësimet që u kishte shkaktuar.

“Nuk e kisha menduar që do të shkaktohej e gjithë kjo vorbull e madhe, gjithë ky shqetësim për prindërit. Ju lutem më falni, sepse kam bërë faj. Nuk kam dashur kurrsesi që familja të përfundojë në këtë mënyrë. Nuk kam dashur kurrë të vras prindërit, as motrën time të madhe. Unë i dua prindërit e mi, motrën time dhe të gjithë familjen, ju kërkoj falje! Familja më ka qëndruar pranë në çdo moment të vështirë dhe u ndjehem borxhlie për të gjithë jetën”, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Tashmë familjes Kajtazi i mungon e vogla e shtëpisë, Klevisa, e cila vijon të qëndrojë në një qendër të shërbimit social, për një afat kohor prej 6 muajsh, pasi gjykata ka vendosur urdhër-mbrojtjeje për të.

Por ekziston një mundësi që 14-vjeçarja të pajtohet me prindërit e saj, dhe kjo mund të realizohet shumë shpejt me ndihmën e Orialdës.

/S.L. portali DurresLajm/