9shtator 2015 – Prokuroria e Përgjithshme dërgoi për ekspertim dhe këqyrje aparatet celular të 6 të dyshuarve për përplasjen me armë në Laç, mes tyre edhe telefonat e deputetit Armando Prenga.

Sipas prokurorisë, ky veprim hetimore për hetuesit do të provojë faktin e komunikimit mes djemve dhe Gjok Calit, mesazhet që ky i fundit ka shkëmbyer me ministrin e brendshëm Saimir Tahiri dhe bisedat me shefin e komisariatit të Laçit natën e ngjarjes. Nga këqyrja e tyre, hetuesit thanë se do të provohet alibia e pjesëtarëve të familjes Cali që akuzuan deputetin për kërcënimin në lokalin e tyre.

Nga ana tjetër, këqyrja e aparateve celularë të deputetit Prenga, do të provoj thanë hetuesit nëse ai ka komunikuar me vëllanë e tij apo ndonjë drejtues polici për përplasjen me familjen Cali në rrugën Patok – Laç mbrëmjen e 4 shtatorit. Gjithashtu, është kërkuar edhe nga kompanitë e telefonike në vend të identifikojnë lëvizjet e të dyshuarve, mes tyre edhe atë të Anton Lekës i cili pretendon se natën e ngjarjes nuk ka qenë në Laç por në një dasmë në Kamëz.

Prokuroria e përgjithshme krahas hetimit për përplasjen fizike dhe me armë pranë komisariatit të Laçit, po verifikon edhe veprimet e të gjithë efektivëve të policisë që natën e sherrit ishin në detyrë. Burimet thonë, se pyetja e të shoqëruarve dhe të ndaluarve të familjes Cali kanë implikuar edhe efektivë të policisë në ngjarje, duke pretenduar se nuk kanë reaguar për të shmangur dhunën fizike ndaj tyre. Uniformat blu kanë thënë se nuk kanë arritur të shohin nëse deputeti kishte apo jo armë, ndërsa kamerat e sigurisë nuk punonin natën e ngjarjes.

/abcnews/