9 shtator 2015 – Një konflikt çasti për motive të dobëta për pak do të përfundonte në tragjedi në Sukth të Durrësit mes dy grupe vëllezërish.

Dy vëllezër nga Shijaku, Edison dhe Alfred Bakenaçi, përkatësisht 40 dhe 36 vjeç, kanë tentuar të vrasin me kaçavidë dy vëllezër të tjerë nga fshati Katund Sukth. Pasi janë konfliktuar me Mahir Shehun 36 vjeç dhe Shkëlzen Shehun 28 vjeç, Bakenaçit i kanë qëlluar me sende të forta, duke plagosur rëndë njërin prej vëllezërve Shehu.

Konflikti mes dy palëve ka nisur në rrugë për shkak se dy të dëmtuarit i binin borisë, mbanin muzikën me volum të lartë e xhironin gomat ndërkohë që lëviznin me automjet. Kjo ka bërë që vëllezërit Bakenaçi të irritohen dhe mes palëve të nisë përleshja fizike.

Mësohet se 36-vjeçari Mahiri ka marrë plagë në gjoks, e për pasojë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërsa, për vëllanë e vogël, Shkëlzenin, burime zyrtare të policisë raportojnë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Sukth, dhe pas mbërritjes së uniformave blu në vendin e krimit, dy shtetasit Bakenaçi u prangosën. Ata akuzohen për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë në bashkëpunim”.

/S.L. portali DurresLajm/