8 shtator 2015 – Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjergj Calin, i përfshirë në konfliktin e ndodhur në Laç me deputetin Armando Prenga.
Gjykata e ka quajtur të ligjshëm arrestimin e Calit, i cili akuzohet për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosje me dashje” ndaj shtetasve G.Jushi dhe E.Prenga. Pas masës së sigurisë, Cali tha se e ka vrarë shteti.
“Na kanë vrarë në komisariat. Kur na kanë qëlluar kam qenë 30 cm larg policisë. Deputeti Armando Prenga na vrau dhe tani do të na burgosë. Na kanë marrë bukën e gojës. Pas ngjarjes kam folur me ministrin Tahiri dhe më tha se çdo gjë është në rregull.”
Gjithashtu, gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” për një muaj për Anton Lekën, i akuzuar si i përfshirë në përplasjen mes fiseve Prenga dhe Cali. Por, avokati i tij pretendon se Leka është i pafajshëm, pasi kur ndodhi ngjarja, ai ishte në një dasmë.
Ndërsa, seanca për deputetin Prenga nisi rreth orës 13:20, për t’u shtyrë me 30 minuta pasi avokati i Prengës kërkoi që të njihej me dosjen e Prokurorisë.
/portali DurresLajm/





