7 shtator 2015 – Vogëlushja 5-vjeçare u përdhunua nga fqinji 14-vjeçar kur ajo doli e vetme për të luajtur në rrugën e lagjes. Këto janë detajet e reja që dalin mbi ngjarjen shokuese dhe të tmerrshme të ndodhur në qytetin e Durrësit mesditën e 3 shtatorit.
Vajza me iniciale A.X. përfundoi në spital dhe pas ekzaminimeve të kryera rezultoi e defloruar, çka konfirmoi edhe dyshimin e babait të saj, i cili denoncoi rastin në komisariat, shkruan gazeta “Panorama”.
Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur katër ditë më parë (3 shtator) në lagjen nr. 14 të qytetit të Durrësit, e njohur ndryshe si zona e Shkozetit. 14- vjeçari dhe vajza e mitur mësohet të jenë banorë të së njëjtës lagje, madje ata janë fqinj me njëri-tjetrin.
Si ndodhi ngjarja
Në bazë të hetimeve, rezulton se 14-vjeçari me iniciale R.K. ka arritur ta tërheqë në rrugë vajzën 5 vjeçe dhe pasi e ka çuar në banesën e tij, ka kryer me të marrëdhënie seksuale me dhunë.
Pasi ka kryer përdhunimin, 14-vjeçari është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur, ndërsa vogëlushja u gjet duke qarë nga banorët e tjerë të zonës. Pas momenteve të tmerrit, 5-vjeçarja u ka treguar prindërve gjithçka që i kishte ndodhur.
Ndërsa pas arrestimit, mësohet se 14-vjeçari ka pranuar të ketë abuzuar seksualisht me fqinjën e tij 5-vjeçare, duke shprehur pendesë për veprimin e tij. Policia sqaron se ekspertët kryen ekzaminimet përkatëse dhe arritën në përfundimin se vajza e vogël ishte përdhunuar.
/portali DurresLajm/





