6 shtator 2015 – Deputeti Armando Prenga ka reaguar edhe një herë nëpërmjet avokatit, duke dhënë versionin e tij rreth ngjarjes për të cilën u ndalua një ditë më parë. 

Përmes një deklarate me shkrim që u lexua para medieve nga përfaqësuesi i tij ligjor, Prenga thekson se atë duan ta bëjnë kokë turku dhe se nuk do të lejojë askënd të njollosë emrin e tij. 

Në letër, Prenga shpjegon se mbrëmjen e së premtes, një makinë i ka prerë rrugën dhe ai është kërcënuar me thikë nga Gjok Cali. Ai thotë se ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në ajër. 

“Në këto momente njëri ka ikur me vrap. Në këtë moment kam marrë në telefon vëllanë tim dhe i kam thënë që të shkonte të bënte denoncim në polici. Shkova te lokali i Gjon Calit dhe e thërrita, por ai nuk doli. Më pas shkova në lokalin tim në qendër të Laçit. Aty ishin shumë njerëz. Në kohën kur vëllai im ka qenë duke shkuar në komisariatin e Laçit, është përballur me Gjon Calin, i cili me disa kushërinj të tij, kanë dhunuar vëllanë tim. Policia dhe prokuroria nuk ka pyetur asnjë njeri, nga këta persona të cilët kanë qenë në lokal dhe kanë ikur.

Jam akuzuar sepse jam vetëmbrojtur, askush nuk mund të lajë ndërgjegjen duke bërë Armando Prengën kokë turku. Nuk do të lejoj askënd të shfrytëzojë një konflikt banal për të njollosur emrin”, thuhet në deklaratën e Prengës.

Sot në mbrëmje, rreth orës 19:30, do të jepen argumentet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku pritet të paraqiten të gjitha provat në lidhje me akuzat ndaj deputetit.

/portali DurresLajm/