Nga Çim Peka

Të gjithë ata gazetarë e analistë, që deri me 23 Qershor i jepnin “OK”, koalicionit të qelbësirave (siç vetë i vunë emrin), mjafton të ikte Sali Berisha, dje janë menduar dy herë.

Andi Bushati shkruante: “Ky është çmimi kur s’kishte asnjë burrë të ndershëm që të mundte Sali Berishën dhe prandaj u bënë gjithë qelbësirat bashkë. Rama peng”.

Ndërsa Mero Baze pohonte se Edi Rama është përgjegjës për këtë që po ndodh: “Prenga është deputeti i tretë që Partia Socialiste po detyrohet ta largojë nga Grupi Parlamentar pas 23 Qershorit, nëse llogarisim edhe Mark Frrokun, i cili i përket një partie aleate me socialistët. Nëse e shikon më me vëmendje, spektrin e të përjashtuarëve, ata i përkasin deputetëve të Shkodrës dhe Lezhës, zona ku fuqia politike e Partisë Socialiste është tentuar të kompesohet me fuqi fizike. Sadoqë të shfajësohet sot me reagimet e tij normale dhe pa komplekse për detyrimet ndaj tyre, Edi Rama është përgjegjës”, shkruante Baze.

Shihet qartë se dhe për analistët që i dhanë “OK”, koalicionit të qelbësirave, sot nuk ka më asnjë alibi që mund të shpëtojë kryeministrin Rama nga kostoja që të japin përsonazhe të tillë kur vendos t’i kthesh në deputet. Justifikimi se dikur këta paskan qenë votues të PD-së dhe i bëri deputetë të PS-së përtej së majtës dhe së djathtës, nuk bind njeri.

Është e vertetë se shumica e “garipave” në fillim të viteve ’90, e kanë votuar PD-në. Madje ishin dhe në krye të protestave. Ishte partia në modë. Por te PD-ja, ata maksimumi kanë pasur fatin të rrinë me Shabanin e Ali Kazazin dhe t’u japin një pjatë pilaf, oficerëve të Gardës që ruanin shefin e opozitës, pse jo, edhe ndonjë militanti që kënaqësinë me të madhe e kishte kur i jepej mundësia, të bënin si truproje të Sali Berishës. Por, të futeshin në zyrën e tij, të drekonin me të e, aq më tepër të bëheshin deputetë, as nuk e ëndërronin.

A i ka përdorur Berisha dhe PD-ja këta të “garipa”? Do të isha jokorrekt të thoja jo.

Si çdo parti, që përdor militantët e vet – militantë të dhunshëm ose jo – por kurrsesi nuk bëri kapërcimin e madh t’i kthejë në deputetë. Ata sot janë deputetë socialistë, që ndodhen pas hekurave ose rrugës për aty, janë “garipa” që e kanë pohuar vetë se zgjodhën Ramën, pasi Berisha nuk i donte si deputetë, por si militantë cuba.

Rama në opozitë, ndoshta mendoi se po i përdor, por në fakt e përdorën ata Edi Ramën, duke u bërë ligjvënës njëlloj si ai. Sot, sado që të bërtasë në Facebook apo Tëitter se nuk ka të paprekshem, nuk është i besueshëm. Kjo lloj rrace deputetësh nuk është e prekshme se është vullneti i kryeministrit Rama. Ata janë të prekshëm sepse vijnë nga ajo botë ku nuk rrinë dot pa iu kthyer vesit të armëve.

Por, a është kryeministri Rama, peng i tyre?

Nuk është peng! Ka dëshirë të jetë si ata, por njëkohësisht nuk ka kurajon e tyre. Thjesht, kur rri me ta, i duket vetja si ata. Garip. Nuk ka kryeministër në botën demokratike të ndjehet trim nga pushteti. E kundërta ndodh. Përgjegjësia e veprimeve konform ligjit, zakonisht të ligështon, nuk të trimëron. Vetëm një kryeministër që nuk ka për referencë ligjin, por “garipat”, fryhet e kërcënon këdo e çdo ditë. Nuk ka kryeministër në botë që bëhet trim pse është shefi politik i policëve të vendit, se nuk ka polic profesionist që del mbi ligjin për teka të shefit. Vetëm kur policët i zëvendëson me gangsterë, që nuk kanë ligjin, por tekat e shefit udhërrëfyes, vetëm atëherë kryeministri bëhet “garip”. Prandaj kryeministri Rama nuk është peng.

Ka dëshirë të jetë si ata, por nuk është aq trim dhe trimërohet duke i bërë dhe ata si veten, ligjvënës. Nuk ka nevojë për ta që të vjedhë apo vërë gjoba. E bën dhe pa ta. Ka nevojë për ta që të ndjehet “garip”.

Vëreni me kujdes. Edhe LSI-ja e Ilir Metës sot, nuk i duhet për mandatet që ka në Kuvend. I dalin dhe i teprojnë votat në Kuvend. Nuk është peng i mandateve të Ilir Metës për të qeverisur.

E mban Ilir Metën se i duhet alibia. I duhet alibia e dështimit dhe korrupsionit. Këtë patën menduar dhe praktikuar edhe demokratët. Një pjesë e mirë e ministrave të Berishës vepronin si ministrat e LSI-së, por meqë përceptimi ishte se vetëm Ilir Meta vjedh, ata vazhdonin hajninë pa zë. Me idenë se dynjaja e kishte mendjen vetem te hajnitë e LSI-së. Në zgjedhje, populli ndëshkoi hajnat e PD-së si partia më e madhe qeverisëse. Kështu ndodhi edhe me partinë e kryeministrit Rama në këto zgjedhje.

Është e vërtetë që bashkitë e mëdha, ku kandidati ishte i LSI-së, fitoi opozita, pasi PS-ja i shërbeu një rezultati të tillë. Por në votë popullore, PS-ja u tkurr e Ilir Meta u shumëfishua. Se qytetarët njëlloj si në 2013-ën, ndëshkuan partinë kryesore të Qeverisë.

Kryeministri Rama ka vota në parlament të qeverisë edhe pa LSI-në, por nuk e bën. Nuk e largon Ilir Metën, pasi i duhet si alibi për korrupsionin e si aleat për dështimin. Prandaj Edi Rama nuk është peng. Ka dëshirë të jetë si ata…

6 shtator 2015, "Syri.net"