Nga Bledar Kurti

Një nga kontributet më domethënëse në kolonën zanore të filmit “Odisea”, me regji të Christopher Nolan, është ai i Prof. Vasil S. Tole, i cili shërbeu si etnomuzikolog i projektit, duke sjellë në një prej prodhimeve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit ekspertizën e tij mbi traditat muzikore të Ballkanit dhe, në mënyrë të veçantë, të Shqipërisë. Kolona zanore përfshin gjithashtu këngë tradicionale shqiptare me iso-polifoni, të interpretuara nga grupi “Të rinjtë e Delvinës”, ndërsa ndër solistët e veçuar spikat Vendim Kapaj me interpretimin në fyell, një nga instrumentet më të lashta dhe më autentike të traditës sonë popullore.

Ky është një moment me rëndësi të veçantë për kulturën shqiptare. Iso-polifonia shqiptare, e shpallur nga UNESCO si Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit, bëhet pjesë e universi artistik të një filmi epik të Christopher Nolan, një prej regjisorëve më të vlerësuar të kinemasë botërore. Prania e saj nuk është thjesht një zgjedhje artistike, por një vlerësim ndërkombëtar i identitetit kulturor shqiptar, i rrënjëve tona të lashta dhe i një tradite muzikore që ka mbijetuar e gjallë brez pas brezi.

Përfshirja e muzikës tradicionale shqiptare në një produksion të kësaj përmase dëshmon se kultura jonë mbart vlera universale dhe ka fuqinë të komunikojë me publikun botëror përtej kufijve, gjuhëve dhe epokave. Tingujt e iso-polifonisë dhe fyellit shqiptar do të dëgjohen nga miliona spektatorë në mbarë globin, duke e bërë Shqipërinë pjesë të një prej kolonave zanore më të rëndësishme të kinemasë bashkëkohore.

Ky sukses është një kujtesë se pasuria më e madhe e një kombi nuk janë vetëm burimet natyrore apo zhvillimi ekonomik, por edhe trashëgimia e tij kulturore. Kur kjo trashëgimi ruhet, studiohet dhe prezantohet me profesionalizëm, ajo fiton respektin e botës. Kontributi i Prof. Vasil S. Tole, interpretimi i grupit “Të rinjtë e Delvinës” dhe pjesëmarrja e Vendim Kapajt janë një dëshmi se arti shqiptar mund të ngjitet në skenat më prestigjioze ndërkombëtare pa humbur autenticitetin e tij. Është një arsye krenarie për çdo shqiptar dhe një dëshmi se kultura jonë vazhdon të jetë një ambasadore e denjë e identitetit kombëtar në arenën botërore.