6 shtator 2015 – Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka transmetuar në media pjesën e dytë të intervistës së ish-shefit të Antidrogës, Dritan Zagani, i cili akuzon policinë dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin për përfshirje në transport droge. Pollo theksoi se mediat nuk i kanë publikuar intervistën e plotë për shkak të presionit qeveritar, duke shtuar se për këtë arsye ishte i domosdoshëm investimi i Partisë Demokratike për të bërë të mundur publikimin e plotë të kësaj interviste.

Për demokratët, intervista është një nga dëshmitë më tronditëse të kohëve të fundit, që flet për lidhjet e ministrit të Brendshëm me bandat e trafikut të hashashit, heroinës e kokainës.

Duke publikuar videon, në emër të PD-së, Pollo kërkoi dorëheqjen e ministrit Tahiri.

“Kjo është një dëshmi që provon atë që është thënë prej muajsh në mënyrë të përsëritur dhe me forcë nga Partia Demokratike ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita kërkon tashmë me zë edhe me të fortë mbas kësaj dëshmie që Saimir Tahiri të largohet nga ministër i Brendshëm dhe t’i nënshtrohet hetimit penal” , u shpreh Pollo.

Pjesë nga intervista

Dritan Zagani: Unë kam rastisur në punën time të sekuestroj qoftë drogë qoftë lekë, në vlera monetare të mëdha të ardhura nga Italia të një familjeje trafikantësh, pasi nuk janë grup por janë vëllezër ata që punojnë bashkë dhe që merren me trafikun e drogës.

Gazetari: Sa është vlera monetare?

Dritan Zagani: Vlera e lekëve ka qenë në një rast, nga informacioni që kisha unë,  pasi në një rast nuk i sollën në Vlorë por në Durrës dhe ne bashkëpunuam me kolegët duke sekuestruar 86 mijë euro, prerje 10- 20  euro, lekë trafiku droge.

Rasti tjetër ka qenë në portin e Vlorës në një kamion, një ngarkesë e këtyre personave, pavarësisht se unë arrita të kap vetëm shoferin, transportuesin, u kap 360 kile hashash.

Gazetari: Po sasi të tjera parash që keni zbuluar, sekuestruar ose në pamundësi për të zbuluar?

Dritan Zagani: Në portin e Vlorës në vazhdimësi ka pasur rezultate. Në disa raste, 2- 3 i mbaj unë mend me detaje. Madje në USB-në time të punës që nuk arriti që SHKB ta gjente, pasi USB-të kërkonte SHKB që të gjente atë natë në kontrollin e banesës time, për të hequr informacionet. Nuk kërkonin drogë në shtëpinë time por materiale për drogën. Kam të dokumentuar veprimet operacionale që kam kryer.

Gazetari: Këtij grupi i kishe sekuestruar në disa raste.

Dritan Zagani: Ky grup pas ndryshimit të pushteteve, nga e djathta në të majtën që ndodhi në 2013 ky grup u bë shumë i pushtetshëm për hir të së vërtetës.
Kam mësuar se këta janë shumë të fortë pasi ishin lidhje farefisnore e zotit Tahiri, ministrit të Brendshëm.

Gazetari: Si i provoni këto pretendime?

Dritan Zagani: E provoj edhe me lidhjen farefisnore. Kur isha shef i hetimit të kufirit kisha një regjsitër themelor ku kisha të regjistruar të gjitha të dhënat e mjeteve lundruese që qarkullonin në bregdetin e drejtorisë rajonale që nga Saranda deri në Vlorë. Për shkak të moratoriumit të asaj kohe përveçse i regjistronim i skedonim të gjitha mjetet. Edhe me informacionet që na vinin.

Që në atë kohë kam pasur një informacion të skeduar për një gomone, jo shumë e madhe që përdorej nga ish-deputeti i asaj kohe, ministri i kësaj kohe zoti Tahiri, të cilin e mirëmbanin dhe e përdornin këto tre personazhe.

Ndërhyn gazetari

Dritan Zagani:  Përdorej për pushime, për xhiro në bregdet. Atë gomone e mirëmbanin dhe e administronin në mungesë të pronarit, që pronari ishte zoti Tahiri këta tre shtetas.

Ndërhyn gazetari

Dritan Zagani: Mjeti ishte regjistruar në emër të deputetit. Në emrin e zotit Saimir Tahiri dhe e adminsitronin tre vëllezër kushërinj të tij në Vlorë.  Ata janë A.H, M.H, L.H nga Vlora. Gjatë kohës që isha në Fier nga hetimet që po bëja

Ndërhyn gazetari: Këto ishin kontigjent…?

Dritan Zagani: Kontigjent i trafikut të drogës që kur unë punoja në Vlorë vite e vite përpara. Ishin kontigjent të trafikut të drogës.

Ndërhyn Gazetari…

Dritan Zagani: Në lidhje me trafikun e drogës kam qenë në një moment që doja të verifikoja subjektin A.D që po ndiqja në Vlorë, në një takim që do të bënte me disa porositës që do i çonte mallin në Itali me gomone. Për hir të së vërtetës subjekti A.D nuk është se bënte trafik vetëm për ishte dhe transportues për të tretët.

Në një moment që unë doja të verifikoja me kë do të takohej ky subjekt A. D në qytetin e Vlorës kam parë një mjet me targa AA 003 GB audi 8, i zi me xhama të zi që erdhi tek makina e subjektit A.D. Nuk zbriti njeri por subjekti A.D zbriti nga makina e tij dhe hipi në këtë audi. Unë u mundova ta ndjek që të marr vesh çfarë po bëjnë dhe ku po shkojnë, si duket isha vënë re nga ata dhe në vend që ti ndiqja unë ata më ndoqën ata mua  nja dy tre momente . E pashë që ishte e kotë dhe nuk vazhdova më ndjekjen e këtij automjeti.

/portali DurresLajm/