5shtator 2015 – Pas 15 vitesh në Policinë e Shtetit, efektivi i dha fund jetës i mbytur në borxhe. Ilir Nano, 41 vjeç, dyshohet se nuk arrinte dot të menaxhonte jetesën e tij dhe as t’i përgjigjej vendimit gjyqësor që i kishte vendosur detyrimin për pensionin ushqimor ndaj dy fëmijëve, pas divorcit me gruan. Gazeta Panorama shkruan sot se ai kishte nisur bashkëjetesën me një 37- vjeçare, me të cilën kishte edhe dy fëmijë të tjerë. Por konfliktet që vinin si rrjedhojë e pamundësisë ekonomike kanë bërë që gjendja psikologjike e 41­ vjeçarit të rëndohej e në kushte të tilla, ai vendosi t’i jepte fund jetës.

NGJARJA

Ilir Nano, efektivi i patrullës “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë së Beratit, u vetëvra me armën e shërbimit rreth orës 20:30 të së enjtes. Ngjarja ndodhi rreth 200 metra larg banesës së tij në lagjen “Çlirim”. Sipas dëshmisë së familjarëve, ai kishte shkuar në banesë i ngarkuar emocionalisht dhe pasi kishte marrë armën e shërbimit, kishte dalë me nxitim. Pasi është larguar rreth 200 metra nga banesa, ai ka kryer shkrepjen e armës në gojë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Krisma e armës ka alarmuar familjarët e fqinjët e tij, të cilët kanë dalë menjëherë jashtë për të parë çfarë kishte ndodhur. Ata kanë mbetur të tronditur kur janë ndeshur me trupin e pajetë të 41­ vjeçarit në rrugë. Policia, e sinjalizuar për ngjarjen, mbërriti menjëherë në vend dhe nisi hetimet.

/portali DurrësLajm/