4shtator 2015 – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori, kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi si dhe 10 zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 33 milion lekësh apo 230 mijë eurosh. Sipas KLSH, Roshi, 2 drejtorë të Bashkisë, 2 ish-drejtor, 3 përgjegjës sektori dhe 3 punonjës të tjerë të këtij institucioni kanë bërë shkelje të shumta dhe kanë kryer veprime në kundërshtim me dispozitat ligjore, në fushën e urbanistikës. Balkanëeb shkruan se, nga auditimi i KLSH-së janë konstatuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike.

Shkelje në fushën e prokurimeve

Në 2 raste, në procedurat e prokurimit; “Ndriçimi i shëtitores Indrit Cara” dhe “Rikonstruksion i Rrugës Dhimitër Pjeshkazini”, është përdorur një standard i dyfishtë përsa i përket vlerësimit të operatorëve ekonomik pjesëmarrës në tender, ku për të njëjtat parregullsi apo mungesa në dokumentacion janë skualifikuar operatorët ekonomik me oferta më të ulëta dhe janë kualifikuar dhe shpallur si fitues operatorë ekonomik me oferta më të larta ekonomike.

Në 3 raste, në procedurat e prokurimit: “Rikonstruksion i rrugës Çezmja e Sharrës”, “Rikonstruksion i Rrugës Besa” dhe “Rikonstruksion i Rrugës Skuraj (faza e II ndriçimi)”, janë skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes gabim të ofertës ekonomike anomalish të ulët disa operatorë ekonomik të cilët duhet të ishin shpallur fitues.

Në 3 raste, në procedurat e prokurimit: “Blerje karburanti(naftë)”, “Mbjellje pemësh dekorative përgjatë Shëtitores Josif Budo” dhe “Ndriçimi i shëtitores Indrit Cara”, nuk është anuluar procedura e prokurimit edhe pse asnjë prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurat përkatëse nuk ka plotësuar kriteret për kualifikim.

Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Mbjellje pemësh dekorative përgjatë shëtitores Josif Budo”, është skualifikuar padrejtësisht një operator ekonomik me ofertën ekonomike më të ulët.

Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksioni i rrugës Dhimitër Gjergo”, është shpallur fitues operatori ekonomik i renditur i dyti në klasifikim, veprime këto të kryera në kundërshtim me nenin 58 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”.

Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksioni i rrugës dalëse (Princat Topia)”, janë modifikuar, 3 ditë para hapjes, dokumentet e tenderit, pa miratimin e specialistëve të fushës, duke vendosur kritere kualifikuese të cilat nuk kanë lidhje me llojin dhe punët që kërkohen për realizimin e prokurimit.

 

Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksion i Rrugës së Tironsve”, për të mos anuluar procedurën e prokurimit janë kualifikuar pa të drejtë të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës, edhe pse nuk plotësonin kriteret për kualifikim, pra tenderi duhej të përsëritej.

Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksioni i shëtitores Josif Budo dhe Lulishtes Indrit Cara”, janë vendosur kritere kualifikuese të cilat nuk kanë lidhje me llojin dhe punët që kërkohen për realizimin e prokurimit.

Shkelje në fushën e urbanistikës

Në 12 raste të miratimit të strukturës ndërtimore për objekte private, nuk ishin zbatuar distancat nga kufiri i pronës.

Në 20 raste të miratimit të lejeve zhvillimore të ndërtimit për punime në infrastrukturë, nuk ishte plotësuar dokumentacioni përkatës teknik e ligjor.

 

Nuk ishte ngritur qëllimisht Këshillit Teknik i Bashkisë, organi kryesor në drejtim të kualifikimit dhe certifikimit të lejeve zhvillimore apo dhe leje përdorimi.

Nuk ishin hedhur qëllimisht të dhënat e aplikimeve për leje zhvillimore në Regjistrin e Planifikimit të Territorit.

Nuk janë zbatuar kërkesat ligjore në hartimin dhe miratimin e Instrumentit të Përgjithshëm Vendor, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 3, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar.

Janë miratuar leje zhvillimore të ndërtimit në objekte private dhe publike, pa u miratuar Instrumenti i Përgjithshëm Vendor.

Nuk është vënë në përdorim portali ëeb i sistemit GIS, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 52, të Ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009 dhe VKM nr. 459, datë 16.6.2010 “Për miratimin e standardeve të përbashkëta gjeodezike dhe GIS”.

Nuk janë dërguar në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit, kopjet e lejeve zhvillimore të ndërtimit, si dhe nuk janë dërguar në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit informacionet në lidhje me zhvillimin e tokës si dhe raportet vjetore në lidhje me çështjet administrative të territorit.

Në total, bazuar në shkeljet e konstatuara në këtë auditim, KLSH ka rekomanduar dhënien e masave të ndryshme disiplinore dhe administrative, për 56 punonjës të Bashkisë Kavajë, si “Largim nga shërbimi Civil”, “Zgjidhje e Kontratës së Punës”, “Mbajte deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë 6, deri në 12 muaj”, “Vërejtje deri në largim nga shërbimi civil”, “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, nga të cilat në 10 raste masat e rekomanduara janë për Drejtues të Nivelit të Lartë dhe në 5 raste për Drejtues të Nivelit të Mesëm/Përgjegjës.

/portali DurresLajm/