4 shtator 2015 – Policia e Shijakut finalizon me sukses operacionin e koduar “Motorat”, duke vënë në pranga 6 persona për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Efektivët e Shijakut kanë intensifikuar masat në akset rrugore kryesore me qëllim rritjen e sigurisë rrugore duke goditur raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt.

Gjatë kësaj jave, burime nga policia njoftojnë se janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas të cilët kanë drejtuar mjetet e tyre pa targa dhe pa leje drejtimi.

Vetëm ditën e djeshme (3 shtator), janë arrestuar në flagrancë tre shtetasit:

•Adriatik Murrja, 39 vjeç, banues në Durrës;

•Esmerid Isai, 18 vjeç, banues në Shijak;

•Krenar Hoxha, 25 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm janë kapur duke drejtuar motorçikleta pa targa dhe pa leje drejtimi.

Policia thekson se ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në vënien para përgjegjësisë të çdo shtetasi që shkel rregullat e qarkullimit rrugor dhe Kodin Penal.

/S.L. portali DurresLajm/