3 shtator 2015 – Largimi masiv i pushuesve ka rikthyer në normalitet trafikun rrugor në qytetin e Durrësit. Fundi i sezonit veror ka “çliruar”” gjithashtu edhe shëtitoren bregdetare nga lodrat e shumta të Luna Parkut, të cilat u shfrytëzuan për afro dy muaj radhazi. Megjithë temperaturat e larta të ditëve të fundit, numri i pushuesve ka ardhur duke u zvogëluar.
Gjatë këtij sezoni veror ka pasur një numër rekord pushuesish, kryesisht familje të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, por nuk kanë munguar edhe pushuesit kosovarë, si dhe të huajt që kanë zgjedhur Durrësin dhe vendin tonë në përgjithësi.
Numri i lartë i pushuesve ka krijuar jo pak probleme në qarkullimin rrugor, sidomos në shëtitoren bregdetare dhe në bulevardet “Dyrrah” dhe “Epidamn”. Ndërkaq, rruga e re “7 Marsi”, ngjitur me kangjellat portuale deri në urën e Dajlanit ndikoi pozitivisht në lëvizjen e automjeteve në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar.
/portali DurresLajm/





