2 shtator 2015 – Shumë lojtarë të Kombëtares Shqiptare janë formuar si futbollistë në Europë, por kanë preferuar të veshin fanellën kuqezi në nivel përfaqësuesesh. Këtë mundësi zgjedhjeje e ka pasur edhe Riza Durmishi, mbrojtësi i Brondbit në Danimarkë, që është grumbulluar nga Morten Olsen për eliminatoret me Shqipërinë dhe Armeninë.

Mirëpo 21-vjecari, në një prononcim për “Extrabladet|, u shpreh se nuk ka pasur asnjë dilemë për të ardhmen e tij, ka zgjedhur pa mëdyshjen më të vogël të përfaqësojë Danimarkën.

“Të luaja me Danimarkën ka qenë dëshira ime më e madhe. Kurrë nuk e kam marrë në konsideratë të jem pjesë e një kombëtareje tjetër”.

Prindërit e Durmishit janë shqiptarë nga Maqedonia, por jetojnë prej shumë kohësh në Danimarkë, madje Rizai ka lindur në vendin nordik. Edhe Federata Maqedonase e Futbollit, i ka bërë ftesë futbollistit të Brondbit, por tashmë ai e kishte bërë zgjedhjen.

“E gjithë familja ime, nëna, babai, gjyshi dhe xhaxhai, do të vijnë të premten në stadiumin Parken. Jam i sigurtë se babai im do të ketë veshur fanellën e Danimarkës.” 

Mungesa e Simon Poulsen dhe e Nicolai Boilesen shton shanset për aktivizimin titullar të Durmishit, i cili po e pret me padurim momentin e tij.

“E ndjej që ka ardhur momenti që të luaj titullar, por unë nuk nxitohem, i takon trajnerit Olsen të vendosë. Nëse do të jem në fushë, do të kem mundësi të kuptoj se çfarë do të thonë shqiptarët me njëri-tjetrin.”

Riza Durmishi është aktivizuar në vetëm një ndeshje me Danimarkën, pikërisht në miqësoren me Malin e zi në muajin qershor, e fituar 2-1 nga formacioni i Olsen.

/portali DurresLajm/