1 shtator 2015 – “Kërbaç” për naftë jashtë standardit në pikën e flakërimit dhe përmbajtjen e squfurit.
Shpeshherë bosët e naftës i paguajnë shtrenjtë hilet me cilësinë e karburanteve që shesin kur nuk kanë parasysh pozicionin topografik të distributorëve. Pavarësisht se pikat e shitjes me pakicë mund të ndodhen në zona rurale, varet se kush i “rreh” rrugët drejt tyre. Kështu ka ndodhur me dy distributorë, njëri në Maminas (bashkia e Shijakut), ndodhet buzë rrugës që të çon në Gjirin e Lalëzit, kurse tjetri në Sukth (bashkia e Durrësit), rrugës për në Gjirin e Lalëzit. Pozicioni i tyre në “katund” është më i ekspozuar se në qytetet e mëdha. Dihet që në Gjirin e Lalëzit shkojnë për pushime VIP-a të politikës, administratës, artit dhe kulturës. Është miopi biznesi të shesësh këtu naftë të keqe. Kështu u ka ndodhur dy subjekteve, që janë gjobitur jo pak, por me nga 1,5 milionë lekë (mbi 10 mijë euro) secili nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI). Kështu, “2-L shpk” në Maminas është penalizuar, thotë ISHTI-ja, për pikën e flakërimit, që e kishte 51.5 gradë, kurse “Hoxha 2005 shpk” në Sukth për përmbajtjen e squfurit 19.7. Dhe nuk është hera e parë për këto dy subjekte që “hanë kërbaç”, si nga qeveria Berisha ashtu dhe nga ajo Rama.
/portali DurresLajm/