1 shtator 2015 – Në ditën e fundit te merkatos, skuadrat e Superiores bënë disa goditje të minutës së fundit, ku spikat qëndrimi te Skënderbeu i Hamdi Salihit. Sulmuesi i Kombëtares Kuqezi vendosi “in extremis” të vijonte bashkëpunimin me Skënderbeun edhe për sezonin e ardhshëm, i nxitur nga kualifikimi i kampionëve të Shqipërisë në fazën e grupeve të Europa League. Klubi korçar firmosi gjithashtu me sulmuesin nigerian, Akinola Akinyemi, që u huazua menjëherë tek Trepca ’89 në Superligën e Kosovës.

Lëvizje të rëndësishme të minutës së fundit bën edhe Vllaznia, që merr nga Tirana, Jetmir Sefen si dhe rikthen në Shkodër uruguaianin Sosa. Drejtuesit shkodranë firmosën gjithashtu me paraguaianin Santiago Martines dhe sebim Semir Haxhibulic. Afrim Taku zyrtarisht nuk është më pjesë e Tiranës, ndërsa për aktivizimin e Elis Bakajt bardheblute presin sinjalizimin e FIFA-s.

Një goditje të rëndësishme në merkato bën edhe Laci, që rrëmben futbollistin e talentuar shkodran, Arsid Kruja, i huazuar nga Hayer Club.Kukësi, në ditën e fundit të merkatos merr Franc Veliun në formë huazimi nga Vardari i Shkupit. Nënkampionët e Shqipërisë firmosën për një vit edhe me mesfushorin brazilian Leomir Kruz. Tërbuni ndër 26 futbollistët e federuar ka përfshirë në listë edhe mesfushorin liberianin Abel Gebor, i cili ka nënshkruar për një vit vetëm në orët e fundit të merkatos.

Bylisi gjithashtu ka gërë goditje të minutës së fundit. Ballshiotët firmosën me mbrojtësin Abdelaye Diakite si dhe rikthyen Solomon Izucukun, një njohje e vjetër për tifozët mallakastriotë. Me Bylisin u federuan gjithashtu Calheira dhe Simic. Ndërkohë Flamurtari ka lënë jashtë listës së federimeve mbrojtësin Debatik Curri, i cili për arsye dëmtimi do të mungojë deri në janar.

/portali DurresLajm/