·       Pronari i ligjshëm i tokës pagoi 223 mijë euro për 900 metra katror të objektit

31 gusht 2015 –  Sikurse ka njoftuar më parë portali “durreslajm.com”, më 20 gusht 2015 do të organizohej në Shkozet, një tender i hapur i organizuar nga ALMOD shpk, ndërmarrje në likuidim, për shitjen e një magazine (ndërtesë dykatëshe me kolona, e veshur me tulla) e shoqërisë ALMOD shpk, lagja nr. 14 (Shkozet, ish-plastika). Prona është vlerësuar nga një eksperte e miratuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS).

Vlera e truallit për sipërfaqe 900 metra katror të objektit: 900 metra katror x 11 780 lekë/metri katror = 10 602 000 lekë.

Vlera e sipërfaqes së ndërtesës = 19 910 081 lekë.

Vlera gjithsej e pronës: vlera e truallit + vlera e ndërtesës 10 602 000 lekë + 19 910 08 lekë = 30 512 081 lekë (rreth 220 mijë euro).

Të hënën, më 31 gusht 2015 u njoftua se ky ankand u zhvillua në ditën e lajmëruar, më 20 gusht 2015. Njësia e ankandit përbëhej nga Ilia Liperi, kryetar komisioni, ekspert kontabël; dhe katër anëtarët Panajot Ruzha, jurist; Brunilda Dumani, juriste; Ahmet Bega, ekonomist dhe Betie Nurçe, ekonomiste. Ankandi u zhvillua në orën 12:00 në selinë e kësaj ndërmarrjeje në Shkozet. Bëhet e ditur se dokumentet e ankandit i ka tërhequr vetëm një subjekt (individ), pronari i ligjshëm i tokës, Tahir Kërçova. Ky i fundit paraqiti ofertën me vlerën fillestare 30 512 081 lekë; ngurtësimin 20 për qind në “Raiffeisen Bank” për llogari të shoqërisë “ALMOD” me vlerën 6 102 416.20 lekë; në total 31 122 323 lekë (223 mijë euro). Në përfundim njësia e ankandit shpalli fitues të zotin e tokës.

Info 

Në vitin 1994, në gjykatën e Tiranës do të regjistrohej ndërmarrja e përbashkët shqiptare-italiane (xhoint-vençër – nga anglishtja “joint venture”) ALMOD shpk. Shteti shqiptar, me 81,83 për qind të aksioneve në ish-Ndërmarrjen e Këpucëve 2 të Gomës Shkozet, krijoi një xhoint-vençër (joint venture) me firmën e famshme italiane të veshjeve sportive SIMOD spa, që do të kishte 18,17 për qind të aksioneve. ALMOD Shpk do të vepronte në fushën e fabrikimit të këpucëve dhe artikujve të tjerë sportivë dhe artikujve për kohën e lirë, komponentëve dhe aksesoreve. Po ashtu do të merrej me projektimin dhe studimin e impianteve për prodhimin e këpucëve dhe artikujve sportivë dhe komponentëve dhe aksesoreve te tyre; me dhënien e asistencës teknike know-how në studimin e tregut dhe tregtimit të prodhimeve. U parashikua një kapacitet prodhues prej 600 000 palë këpucë dhe çizme në vit dhe 600 000 palë faqe në vit. Madje, shoqëria do të jepte asistencë për të realizuar në territorin e Shqipërisë për prodhimin e këpucëve dhe artikujve të tjerë sportivë dhe për kohën e lirë si dhe për realizimin e projekteve të konstruksioneve deri dje me shërbime financiare të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme, etj. Por punët nuk ecën mirë. 11 vjet më vonë, në dhjetor 2005, është mbajtur mbledhja e ortakëve të shoqërisë për likuidimin e shoqërisë së përbashkët.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/