·       Bëhet fjalë për 400 tonë hipoklorit natriumi të lëngshëm që përdoret për dezinfektimin e ujit të pijshëm, i cili blihet vetëm me 9 320 000 lekë nga 20 266 666.66 lekë të parashikuar ose 10 946 666.66 lekë më lirë  

·       DILEMA/ Ishte ofertë anomalisht e ulët apo fond anomalisht i lartë?

NGA THANAS MUSTAQI

31 gusht 2015 –  Në tenderin ku morën pjesë 4 firma të kualifikuara, ka fituar një nga fshati Dishnicë Korçë me 46 për qind të fondit limit, që edhe pse komisioni i vlerësimit të ofertave (KVO) e konsideroi ofertën fituese si anomalisht të ulët, iu mbush mendja nga operatori se nuk ishte e tillë, “bazuar në argumente dhe fakte bindëse”.

Ndërmarrja aksionare publike “Ujësjellës Kanalizime Durrës” (UKD) sha ka njoftuar më 31 gusht 2015 fituesin e tenderit për blerje hipoklorit natriumi (NaOCl) me përqendrim 13-15 për qind, që përdoret për dezinfektimin e ujit të pijshëm, ku morën pjesë 6 operatorë ekonomikë privatë, prej të cilëve u shkualifikuan dy që nuk paraqitën oferta. UKD sha thotë se për këtë prokurim kishte vënë nga të ardhurat e ndërmarrjes një fond limit prej 20 266 666.66 lekë. Shih, edhe me presje dhjetore është përllogaritur fondi! Thua ti se u bë një punë shkencore për doktoraturë. Por qyfyret dalin nga radhitja e ofertave:

–        “2AT” shpk jep 9 320 000 lekë (45.98 për qind të fondit limit), ku UKD-së i kursehen 10 946 666.66 lekë.

–        “T&M chemical distribucion” jep 11 960 000 lekë (59 për qind të fondit limit).

–        “Jordil” sha jep 13 400 000 lekë (66,1 për qind të fondit limit).

–        “Atlantik 3” jep 15 000 000 lekë (74 për qind të fondit limit).

UKD-ja thotë se gjatë vlerësimit të ofertave u vu re se operatori ekonomik 2AT shpk kishte paraqitur ofertë anomalisht të ulët. U kërkua justifikimi i ofertës anomalisht të ulët. Më 11 gusht 2015, operatori ekonomik paraqiti argumentimin e ofertës së paraqitur. Ky justifikim u mor parasysh, pasi u vlerësua nga KVO-ja dhe u cilësua si i bazuar në argumente dhe fakte bindëse. Sa me sipër, thotë UKD-ja operatori ekonomik “2AT” shpk me ofertë ekonomike 9 320 000 lekë u shpall fitues më 14 gusht 2015. Më 26 gusht 215 u lidh kontrata me fituesin për 400 tonë hipoklorit natriumi të lëngshëm.

UKD-ja bie brenda me këmbët e veta. Edhe pranon se ofertë është anonamlisht e ulët edhe KVO-së i mbushte mendja se nuk është e tillë. I bie që fondi i caktuar të jetë anomalish i lartë. Pa paragjykuar fituesin apo organizatorët e tenderit, mund të thuhet se nuk ky është i vetmi rast në prokurimet me fondet publike. Vetëm se janë për t’u nënvizuar dy aspekte. Së pari, në ndërmarrjet apo entet shtetërore / publike nuk ka përditësim të plotë të çmimeve, preventivave, gjë që lë shteg për korrupsion dhe shpërdorime të fondeve dhe brenda “ofertave anomalisht të ulëta”. Aspekti i dytë është më specifik. Kemi të bëjmë me një produkt kimik që përdoret për dezinfektimin e ujit të pijshëm. Dhe nuk janë pak: 400 tonë hipoklorit natriumi të lëngshëm, që do të livrohet për 12 muaj pas nënshkrimit të kontratës. Kemi të bëjmë me shëndetin e qindra mijë qytetarëve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/