Rrethuar nga akuzat për ngacmime seksuale, guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo kërkoi falje të mërkurën, duke thënë se ai “mori një mësim të rëndësishëm” lidhur me sjelljen e tij ndaj grave, por shtoi se kishte ndërmend të qëndronte në detyrë.

“Tani e kuptoj që kam vepruar në një mënyrë që i bënte njerëzit të ndiheshin jo rehat”, tha Cuomo në një konferencë shtypi të mërkurën. “Ishte e paqëllimtë dhe për këtë kërkoj realisht falje”.

Cuomo tha se do të “bashkëpunojë plotësisht” me hetimet që ka nisur zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit lidhur me akuzat për ngacmim seksual. Prokurorja e Përgjithshme Letitia James ndodhet në procesin e përzgjedhjes së një firme ligjore, jo brenda zyrës së saj, që do të kryejë një hetim mbi pretendimet dhe do të ofrojë një raport që do të bëhet publik.

Cuomo i kishte shmangur paraqitjet publike për ditë me radhë ndërsa disa nga koleget e tij demokratë i kanë bërë thirrje për dorëheqje. Para konferencës për shtyp të së mërkurës, guvernatori foli për herë të fundit me gazetarët gjatë një telekonference më 22 shkurt. Informimi i tij i fundit për mediat me pamje filmike ishte më 19 shkurt.

Ai nuk kishte folur publikisht që prej momentit kur i dha Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut leje për të hetuar pretendimet se ka ngacmuar seksualisht të paktën dy gra në administratën e tij.

Ish-ndihmësja e tij, Charlotte Bennett, 25 vjeç, ka thënë se Cuomo e kishte pyetur atë mbi jetën e saj seksuale dhe nëse do të ishte e hapur për një marrëdhënie me një burrë të moshuar. Bennett e ka hedhur poshtë kërkesën për falje të Cuomo, gjatë të cilës ai tha se kishte bërë “shaka” dhe se shakatë e tij ishin keqinterpretuar si flirtim.

Një ish-ndihmëse tjetër, Lindsey Boylan, tha se Cuomo kishte komentuar pamjen e jashtme të saj në mënyrë të papërshtatshme dhe se në fund të një takimi e kishte puthur pa pëlqimin e saj. Ajo ka thënë gjithashtu se Cuomo i kishte sugjeruar një herë që të luanin “poker me striptizëm” ndërsa ndodheshin në një avion në pronësi të shtetit. Cuomo i ka hedhur poshtë pretendimet e zonjës Boylan.

Një tjetër grua, Anna Ruch, i tha gazetës “New York Times” se gjatë një ceremonie martesore në shtator 2019-s Cuomo i kishte vendosur të dyja duart në fytyrë dhe e kishte pyetur nëse mund ta puthte.

Cuomo e filloi konferencën për shtyp të së mërkurës duke u përqëndruar tek të dhënat më të fundit mbi pandeminë e koronavirusit./VOA