27 gusht 2015 – Pas pezullimit të lejeve të ndërtimeve në të gjithë vendin nga Këshilli Kombëtar i Territorit pak kohë më parë, tashmë qeveria përmes një vendimi lejon ndërtimet në 14 bashki të reja (Tirana, Fieri, Durrësi, Himara, Berati, Lushnja, Mamurrasi, Rrogozhina, Vora, Fushë-Kruja, Kruja e Korça si dhe Kamza e Shkodra) nga 61 gjithsej (shih hartën, vendet e ngjyrosura janë bashkitë e përmendura). Këto njësi vendore mund të japin leje vetëm për objekte deri në 5 kate. Për objektet që janë 6 kate ose më shumë njësitë vendore nuk mund të japin leje ndërtimi pasi në këtë rast lejen e jep vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit. Për këto 14 njësi vendore lejet për ndërtim apo zhvillim do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm për zonat, në të cilat janë miratuar dokumentet për planifikimin e territorit.
Vendimi përjashton ndërtimet në zonat bregdetare, ato me rëndësi kombëtare apo që janë pjesë e trashëgimisë kulturore e historike. Po ashtu nga këto ndryshime përfitojnë ata që do të kërkojnë leje të posaçme për banesa individuale me sipërfaqe ndërtimi deri në 250m katrorë, si dhe shtesa në banesat ekzistuese.
Kryeministri Edi Rama i ka dhënë të drejtë bashkisë së Durrësit të japë 27 leje ndërtimi në proces.
Dokumentet
1.
Vendim nr. 672, datë 29.7.2015 “Për një ndryshim në Vendimin nr. 408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, miratuar me vendimin nr. 408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, neni 45, “Dispozita kalimtare” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 45
Deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për territoret administrative të bashkive:
a) kërkesat për leje zhvillimi / ndërtimi do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm për zhvillime të propozuara në zona të territorit vendor, për të cilat janë miratuar dokumentet e planifikimit të territorit, sipas hartës bashkëlidhur, me përjashtim të zonave me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike dhe brezit bregdetar, sipas vendimit nr. 1, datë 8.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit, në të cilat çdo ndërtim i ri do të jetë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
b) për të gjitha zonat e tjera, që nuk përfshihen në shkronjën “a”, të këtij neni, kërkesat për leje ndërtimi do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.
c) për objektet mbi 6 kate, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, leja e ndërtimit jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
2.
Vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 1, datë 30.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga autoritetet e zhvillimit të territorit për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore”
Në mbështetje të Ligjit nr. 107/2014, date 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit", i ndryshuar, nenit 45, pika b), të VKM-së nr. 408, datë 13.05.2015 "Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit", e ndryshuar, VKM-së nr. 877, date 03.10.2013 “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Territorit", me propozimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit,
VENDOSI:
1. Te gjitha autoritetet vendore të fillojnë procedurat për hartimin e planeve të përgjithshme vendore për territorin vendor përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, në zonat sipas nenit 45, pika b), të VKM-së nr. 408, date 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit", të ndryshuar, autoritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje ndërtimi vetëm për këto raste përjashtimore:
a) punime të infrastrukturës; b) struktura publike; c) ndërhyrje me karakter emergjent; ç) objekte për interes publik, shtetëror dhe kombëtar; d) struktura me funksion prodhues, industrial, përfshire këtu ato me material porositës; dh) struktura me funksion turistik; e) struktura në funksion të prodhimit, përpunimit dhe distribucionit të produkteve bujqësore dhe blegtorale; e) banesa individuale / njëfamiljare, kërkuar nga pronari i truallit për strehimin primar të tij, me sipërfaqe totale ndërtimi deri në 250m2; f) shtesa në banesa individuale / njëfamiljare ekzistuese, deri në masën 50 për qind të sipërfaqes së tyre totale të ndërtimit.
Autpritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje ndërtimi për rastet përjashtimore të pikës 2, vetëm brenda zonave të urbanizuara, të identifikuara sipas vendimit Nr. 5, datë 29.1 2014, të Këshillit Kombëtar të Territorit, me përjashtim të strukturave sipas germës c), për të cilat zbatohet VKM nr. 283 datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në toke bujqësore", e ndryshuar.
4. Në bazë të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, kusht për lëshimin e lejeve të ndërtimit është botimi në Regjistrin e Integruar të Territorit të kërkesave për leje dhe akteve përkatëse të miratimit të tyre.
5. Autoritetet e zhvillimit të territorit duhet të vijojnë me miratimin e kërkesave për leje ndërtimi për rastet sipas pikës 2 të këtij vendimi, vetëm pas marrjes së njoftimit nga AKPT për konformitetin e zhvillimit të propozuar me rastet përjashtimore të përmendura më sipër, në rruge elektronike nëpërmjet Regjistrit të Integruar të Territorit, si edhe informimit të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me këtë konformitet.
6. Për lejet e ndërtimit dhe lejet zhvillimore të miratuara, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, të përcaktuar në formularin e lejes përkatëse, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës, vetëm një herë, për një periudhë jo më të gjatë se afati fillestar i përcaktuar në lejen e ndërtimit.
7. Me përjashtim të rasteve dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, çdo leje ndërtimi e lëshuar pas datës së miratimit të këtij vendimi në zonat objekt i këtij vendimi konsiderohet nul dhe e pavlefshme.
8. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për miratimin e procedurës që duhet ndjekur nga autoritetet e zhvillimit të territorit, në zbatim të pikës 5 si më sipër, dhe monitorimin e zbatimit të këtij vendimi nga autoritetet përgjegjëse.
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit si dhe të gjitha autoritetet e planifikimit, zhvillimit dhe inspektimit, në nivel vendor dhe kombëtar, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
10. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARI
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/