21gusht 2015 – Policia e Prizrenit arreston “Kallashin”. Valltarja Donjeta Kosumi, sipas mediave kosovare është prangosur pas bastisjes së lokalit të natës “Kobra City”. Bashkë me Kosumin u arrestuan dhe 4 persona të tjerë.

“Dy ditë më përpara shumë pjesëtarë të këtij lokali janë rrahur në qytet, ose më mirë të themi kanë sulmuar katër viktima në qytet tek një pompë e karburanteve. Janë gjetur një varg parregullsish. Kemi të arrestuar për momentin pesë persona, një ndër to edhe Kallashi.”, -ka thënë Hazir Berisha, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit.

Gjatë kontrollit të policisë, është zbuluar se lokali vidhte energjinë elektrike.

“Në vendin e ngjarjes po qëndrojnë edhe ekipi i KEDS-it dhe hidroregjionit, ku KEDS-i kishte vlerësuar se rryma ishte e lidhur me bajpas, pra ishte vjedhur.”- tha zëdhënësi i policisë.

Policia sekuestroi tri pistoleta dhe një pushkë gjysmë automatike, një sasi të konsiderueshme fishekësh të kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi lëndësh narkotike në formë pilulash. /balkanweb/