20gusht 2015 – Kryebashkiaku i ri, Erion Veliaj nuk fal nga aksioni as shkollën që mban emrin e babait të kryeministrit Edi Rama. Aksioni i nisur në Njësinë 5 ka vazhduar në Komunën e Parisit, ku ndodhet dhe shkolla private “Kristaq Rama”. Për më shumë se 20 vite ky objekt arsimor i ka shpëtuar çdo fushate dhe ndërhyrje nga ana e bashkisë apo të qeverisë.
Bashkia e Tiranës ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtesës deri në rikthimin e hapësirës së zaptuar në trotuar për banorët e zonës së Komunës së Parisit.
“Shkolla ‘Kristaq Rama’ është duke u çmontuar si ndërtim pa leje në Tiranë. Një shkollë e cila mbante emrin e artistit të madh, por e keqpërdorte atë si licencë për të zaptuar hapësirën publike, siç është trotuari i rrugës te ‘Komuna e Parisit’”, deklaroi sot Veliaj.
Pak ditë më parë, gazeta “Dita” sfidoi Veliajn me një shkrim, në lidhje me shkollën që mban emrin e babait të kryeministrit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





