20gusht 2015 – Pendohet 18-vjeçarja Orialda Kajtazi pas arrestimit dhe dërgimit në qeli. Orialda ka kërkuar takim me prindërit dhe u ka kërkuar falje atyre për të gjitha veprimet duke marrë përsipër veprimet. Sipas familjarëve, Orialda ka kërkuar mbështetje për vete dhe motrën e saj 14- vjeçare, për të cilën mësoi se nuk kishte pranuar të kthehej në shtëpi, por kishte preferuar të qëndronte në qendrën e rehabilitimit për gratë e dhunuara në Kamzë të Tiranës. Hiqmet Kajtazi, babai i dy motrave, të cilat u larguan nga banesa dhe u gjetën pas një muaji në Vlorë, tregon se mesditën e djeshme ka takuar pas një muaji vajzën e madhe, Orialdën.

‘Dua të lidhem me Klevisën dhe t’i them që të kthehet në shtëpi’ tha Orialda. Dua të të takoj edhe ty, pohoi më pas. Kështu vendosa të udhëtoja drejt Tiranës për ta takuar”, tregon kryefamiljari për “Panoramën”

“Orialda kishte kërkuar vazhdimisht takim dhe sot (dje) shkuam e takuam në burg. Ajo dukej e penduar dhe kërkoi falje për veprimet e saj, të cilat i konsideroi të pamenduara. Unë isha së bashku me nënën e saj, bashkëshorten time, por nuk e ngacmuam duke e pyetur se përse kishin vepruar ashtu. Orialda kërkoi mbështetje. Donte një avokat, të cilin ne me shumë vështirësi e pajtuam për të ndjekur procesin. Na dha kodin me të cilin do të përpiqemi të fshijmë nga YouTube regjistrimet që vajzat kishin hedhur teksa ndodheshin në Vlorë. Kërkoi t’i mundësojmë një takim me Klevisën, me qëllim që ta bindë për t’u kthyer në shtëpi. Vajza dukej e trishtuar dhe e penduar në njëfarë mënyre, ndaj nuk ishte momenti për të mësuar shkakun e veprimeve të tyre”, u shpreh Hiqmet Kajtazi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/