16gusht 2015 – Policia e Durrësit e ka ende të hapur çështjen e arratisë njëmujore të dy motrave Orialda dhe Klevisa Kajtazi. Megjithëse vajzat kanë rrëfyer përballë grupit hetimor dhe më herët në disa video të hedhura në Youtube se ishin larguar të vetme, me iniciativën e tyre, hetimet vazhdojnë.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë që kaën folur për gazetën “Panorama” bëhet e ditur se, pritet që dosja të kalojë në Prokurori për hetime të mëtejshme, për momentin vetëm për akuzat ndaj vajzave, atë të shkatërrimit të banesës duke u vënë zjarrin dhe për vjedhjen e gati 500 mijë lekëve të rinj, kursime të familjes.
Ndërkohë, lidhur me akuzat e ngritura nga ana e dy vajzave, se ato dhunoheshin nga prindërit, Policia e Durrësit sqaron se nuk ka nisur asnjë procedim penal kundrejt tre pjesëtarëve të familjes Kajtazi. Sipas bluve, nga verifikimet e deritanishme nuk rezulton se mbi vajzat është ushtruar dhunë.
“Ato nuk kanë bërë më herët asnjë denoncim kundrejt familjarëve për veprimet e pretenduara në video”, pohohet nga të njëjtat burime. Madje, sipas tyre, dyshohet se, në mungesë të vërtetësisë së akuzave të ngritura, publikimi i fjalëve në video është kryer me qëllim justifikimin e largimit nga banesa të dy motrave, si dhe veprimet e tjera të ndërmarra prej tyre.
Videot e transmetuara në YouTube kanë qenë të kontrolluara nga vetë specialistët e krimit kundër personit, të cilët u vunë në gjurmët e dy vajzave të zhdukura nga banesa. Edhe pse dy vajzat nuk kishin më asnjë komunikim me familjen, u mbajtën nën vëzhgim në rrjetet sociale.
Nga kjo këqyrje u arrit deri në zbulimin e të dhënave për vajzat, përshkrimi fizik i të cilave përkonte me pamjen që kishin marrë ditët e fundit. Ato ishin shndërruar në bionde, ndërsa në qytetin e Vlorës lëviznin të mbuluara me kapele e syze.





