Brenda muajit maj pritet të përfundojë ndërtimi i rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane në Spitallë, ku do të ndërtohet lagjja e re për të pastrehët e tërmetit.

Investimi me vlerë rreth 365 milionë lekë të reja realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa punimet po realizohen nga bashkimi i operatorëve ekonomikë PE-VLA-KU shpk & PE-VLA-KU dega Kosovë & BIBA-X shpk.

Nga muaji shkurt kur është hapur kantieri i ndërtimit dhe deri në muajin maj do të realizohen punimet në infrastrukturë, ndërsa më pas pritet që të nisin punimet për ndërtimin e godinave 4 katëshe, të cilat do të financohen nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Më 14 shkurt, kryeministri Rama njoftoi në rrjete sociale se do të niste puna në kantierin e lagjes së re, ku pritet të sistemohen 1728 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

Kjo zonë e re ndërtimi, që zë një sipërfaqe prej 190 ha, është aktualisht në pjesën më të madhe të saj tokë djerrë, aty ku më parë ekzistonin vaskat e peshkut.

Në zonën përreth që shërben si fazë “tranzit” dhe lidhje me zonën aktuale të banimit ndodhen 102 banesa individuale 2 katëshe.