13 gusht 2015 – Tri ditët e fundit një grup pune i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka nisur kontrollet në Durrës. Më 13 gusht 2015, Albana Ferraj, drejtore e Divizionit Tregtar në OSHEE, deklaroi se në Durrës janë caktuar rreth 25 veta, pjesë e stafit të drejtorisë rajonale, shtesë personeli, që do të ndihmojnë në mënyrën e organizimit të punës dhe veprimtarisë normale të agjencive dhe drejtorisë me kontrollet e ligjshmërisë me energji elektrike, ripagesës së faturave, problematika që kanë të bëjnë me sistemin e matjes së energjisë.
Sipas Ferrajt, abuzimet më të tipike janë rilidhjet e paligjshme nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike si pasojë e të qenit debitor, por dhe ekzistenca e linjave të dyta”. Operacioni në Durrës do të vijojë deri në shtator.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2015, në rajonin e Durrësit, që mbulon, përveç bashkisë së Durrësit dhe ato të Shijakut, Krujës dhe Kavajës, me rreth 160 mijë abonentë, janë kryer 38 mijë kontrolle dhe u është ndërprerë korrenti 22 mijë debitorëve. Vetëm në qytetin e Durrësit janë bërë 14 mijë kontrolle, ku gjysma doli se ishin debitorë familjarë dhe jofamiljarë dhe iu pre energjia elektrike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/