· Rritja e çmimit të bukës, spekulim nga padituri gazetarësh apo sponsorizim mediatik i grosistëve të grurit dhe prodhuesve të bukës për të fituar?

11 gusht 2015 – Disa medie on-line të 11 gushtit 2015 kanë hedhur tezën mbi rrezikun e rritjes së çmimit të bukës për shkak të embargos ruse. Disa gazetarë, të mësuar me praktikën “copy-paste”, duke mos i lexuar lajmet në gjuhë të huaja, mendojnë se embargoja ruse për perimet dhe frutat shqiptare që eksportohen në shtetin euro-aziatik, është embargo dhe për produktet e eksportit rus në drejtim të vendeve të tjera, përfshi dhe Shqipërinë. Moska nuk u blen prodhimet e eksportit atyre vendeve që i kanë vënë sanksione. Por Rusia dëshiron që të shesë (eksportojë) dhe grurin e vet, që e blejnë dhe grosistët shqiptarë, thjesht për të thithur valutë të huaj.

Alarmi i vënë nga mediet për mundësinë e rritjes së çmimit të bukës për shkak të embargos për trangujt shqiptarë është i rremë. Kjo dëshmon si për paditurinë e lajm-shkruesve ashtu për sponsorizim mediatik që mund të bëjnë grosistët e grurit dhe prodhuesit e bukës për të përgatitur terrenin e rritjes së çmimit të bukës.

Referuar statistikave zyrtare të 6-mujorit të parë të vitit 2015 të Autoritetit Portual Durrës, janë importuar, kryesisht nga Rusia 82 357 tonë grurë. Si koincidencë, më 11 gusht 2015, në portin e Durrësit po shkarkohen dy anije me grurë “Astol” ka 3 293 tonë, kurse “Krasnyi Aksay” 3 024 tonë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/