9 gusht 2015 –  Edhe pse Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU), ka shpallur disa herë pjesëmarrjen në konkurrim publik për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në 5 zona të Durrësit, në këtë rreth si dhe gjetiu ky dikaster ka dështuar. Me sa duket, edhe më 11 gusht 2015, si zor të ketë firma private që të plotësojnë një “vagon” me dokumente për ripopullim dhe peshkim në ujëmbledhësit e Fllakës, Shkallnurit, Likeshit (Gjepalaj) e Qerret-Likmetajt (Ishëm) dhe për peshkim artizanal e akuakulturë në grykëderdhja e lumit Erzen deri në Gropat e Bisht Pallës.

Është pozitive që shteti synon të vendosë në shtrat ligjor dhe standarde ndërkombëtare aktivitetin e kultivimit dhe zënies së peshkut në ujëmbledhës. Por edhe organet shtetërore nuk kanë pse vetëm të “lajnë” gojën thjesht me njoftime. Për një zonë bregdetare me peshk të një cilësie të lartë si Durrësi, asnjë sipërmarrës nuk mendon të investojë për të shitur peshk rezervuari. Ka pak informacion për tregjet e mundshme të shitjes së peshkut të prodhuar me akuakulturë. Ministria kërkon të marrë dokumente dhe nuk “jep” asgjë.

Info / Ja dokumentet që duhen paraqitur në konkurrim

Kërkesa për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në objektin ujor të shpallur për konkurrim; regjistrimin në QKR për objektin e veprimtarisë se bashku me ekstraktin historik; plan biznesi për zhvillimin e veprimtarisë; projekti teknik, teknologjik; të dhëna për nivelin e investimit; të dhëna për nivelin e punësimit; vetëdeklarim se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë; vërtetim nga organet tatimore që subjekti në fjalë nuk ka detyrime tatimore; vërtetim se subjekti ka aplikuar pranë strukturave mjedisore për t’u pajisur me leje mjedisore; deklaratë mbi konfliktin e interesit; prania e specialistit të fushës nëpërmjet CV-së profesionale, ku të tregohet kualifikimi dhe përvoja në fushën e peshkimit dhe akuakulturës; plan-vendosja e shprehur në koordinata gjeografike për sipërfaqet detare apo një hartë me ngjyra me emrat e toponimeve të objekteve kufizuese; garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në plan-biznes.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/