7 gusht 2015 – Dy ture të kaluara dhe arritja e paprecedentë për një skuadër shqiptare në fazën “play-off” të Champions League. Përpos lavdisë sportive, Skënderbeu pritet të vendosë një rekord përfitimesh nga kupat e Europës. Me kualifikimin përballë Crusaders në turin e dytë dhe eliminimin e Milsamit në të tretin, deri më tani, korçarët kanë siguruar 700 mijë euro shpërblime nga UEFA.
Në përballjen e radhës me kundërshtarë big, përfitimet do të vijnë vetëm ato nga shitja e biletave, ku pritet një tjetër rekord, sepse në këtë fazë nuk ka shpërblime. Kjo prej faktit që në rastin më të keq, nëse eliminohet, skuadra kalon në fazën e grupeve të Europa League, ndërsa me kualifikimin do të luante në grupet e Champions. Në rast disfate gjatë sfidave play-off dhe “zbritje” në Europa League, në arkat e Skënderbeut do të derdheshin menjëherë 3 milionë Euro. Në total, përfitimet nga UEFA për kampionët e Shqipërisë do të arrinin kuotën e 3,7 milionë eurove. Shifër që do të rritet. Sipas shpërndarjes së re të të ardhurave nga Konfederata Europiane, fitorja e një ndeshje në fazën e grupeve vlen 360 mijë euro, ndërsa barazimi 120 mijë euro. Pozicionimi në vendin e parë në grup shpërblehet me 500 mijë euro, ndërsa vendi i dytë 250 mijë. Këtyre të ardhurave u shtohen përfitimet nga të drejtat televizive, markentingu, shitja e biletave dhe sponsorët, që e bëjnë shifrën stimuluese.Krejt ndryshe diskutimi në rast kualifikimi në Champions League. Në këtë rast, vetëm pjesëmarrja shpërblehet 12 milionë euro. Çdo fitore në grupe garanton 1.5 milionë, ndërsa barazimi 500 mijë euro. Edhe në këtë rast, përfitimeve u shtohen shitja e biletave, marketingu dhe shitja e të drejtës televizive, me këtë të fundit që shpërndahet në proporcion me vlerën e tregut televiziv të klubeve pjesëmarrëse në Champions League.
Një lum milionash, shifra që asnjë klub shqiptar nuk ka pasur rastin qoftë edhe t'i imagjinojë. Financa që garantojnë vazhdimësinë e një projekti fitues dhe prestigjin e pjesëmarrjes mes më të mirëve në Europë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/