7 gusht 2015 – Për mesfushorin Bledar Hodo, një grumbullim i tillë si ai që skuadra bëri në Bullgari pritet t’i shërbejë ekipit në konsolidimin e elementëve fizikë, teknikë dhe taktikë gjatë të gjithë sezonit. Lojtari bën analizën e fazës përgatitore dhe komenton edhe objektivat e ekipit:

“Zhvillimi i fazës përgatitore në Bullgari e ndihmon skuadrën që të përballojë me sukses sezonin e ri pasi u bënë disa vite që fazat përgatitore bëhen jashtë Durrësit. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe besoj se ekipi u forcua në këtë periudhë grumbullimi, pasi në Bullgari kushtet ishin ideale. Profesor Magani kërkon një tjetër afrim dhe përderisa ai e do një gjë të tillë, e di më mirë. Ndërsa, për mua, e rëndësishme është të bëj rolin që më takon në fushën e lojës. Jam pjesë e këtij ekipi prej disa vitesh dhe do mundohem të jap maksimumin tim për skuadrën dhe të zbatoj udhëzimet e trajnerit.”

Më tej Hodo shton se Teuta është gati për sezonin e ri:

“Për momentin, puna më e madhe është bërë, por me besimin dhe shpresën se çdo lojtar mund të rrisë formën e tij sportive them se do t’ia arrijmë të bëjmë më të mirën. Që të deklaroj në lidhje me pretendimet, nuk kam dëshirë të flas përpara kohe, por le t’ia lëmë kohës sesi do të shkojnë punët, ndonëse besimi është i madh. Teuta ka bërë disa afrime që do t’i tregojnë vlerat me fillimin e kampionatit. Për tifozët, ndoshta një pjesë nuk janë të njohur, por di të them që, me atë që kam parë në fazën përgatitore, janë djem që do t’i shërbejnë shumë ekipit. Pa dyshim që duhet vlerësuar puna e presidencës dhe trajnerit për këto afrime. Edhe kupa Egnatia do të na shërbejë shumë për tu bqërë gati sa më mirë për ndeshjen e parë që kemi me Flamurtarin dhe unë kam besim se Teuta do të dalë mirë në këtë kupë dhe do të regojë se është plotësisht gati dhe me pretendime serioze për sezonin e ri.”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/