6 gusht 2015 – Prej tre ditësh Teuta në volejboll për meshkuj ka nisur në plazhin e Durrësit fazën përgatitore në prag të sezonit të ri sportiv 2015-2016. Asnjë ndryshim tek Teuta, kjo fazë përgatitjesh ka nisur me të njëjtin staf teknik dhe grup volejbollistësh që përfaqësuan Teutën edhe sezonin e kaluar.
Edhe këtë sezon, drejtimi teknik i skuadrës i është besuar dyshes së trajnerëve Leonard Marangoni i ndihmuar nga Albert Ivanaj.
Në një prononcim për “Dyrrah”-un, trajneri Leonard Marangoni flet për punën e nisur në këtë fazë përgatitore, grupin e lojtarëve në dizpozicion dhe objektivat e Teutës në këtë sezon.
Profesor, si ka nisur kjo fazë përgatitore për Teutën ?
Kemi katër ditë që kemi nisur këtë fazë përgatitore, ku kemi preferuar ta nisim në bregdet, pikërisht në konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme ku dhe kemi kushte të mira stërvitore. Bregdeti na ofron mundësi të shkëlqyera për implementimin e programit tonë stërvitor ku ditët e para jemi përqendruar tërësisht në përgatitjen fizike dhe në kushtet tona më mirë se këtu buzë detit nuk mund të gjenim. Do të vazhdojmë këtu disa ditë ndoshta deri në fund të këtij muaji ku pas marrjes graduale të ngarkesës fizike do të kalojmë edhe në lojën me top.
A ka filluar me grup të plotë kjo fazëvpërgatitore?
Të gjithë lojtarët që mbyllën sezonin e kaluar janë në dizpozicion me përjashtim të Eraldo Vorës i grumbulluar me kombëtaren e të rinjve në Turqi dhe të Emiljano Istrefit, i cili kërkoi disa ditë leje dhe besoj se nesër do t’i bashkohet grupit në këtë proces stërvitor të nisur.
Në dijeninë tuaj a do të ndërhyjë Teuta në merkato për të afruar ndonjë lojtar cilësor ?
Më duhet të them se kam në dizpozicion një grup kompakt dhe cilësor me djem të rinj që po fitojnë gjithnjë e më tepër eksperiencën e duhur, megjithatë, nëse synon titullin kampion sigurisht që edhe tek Teuta shihet e nevojshme mundësia e ndonjë përforcimi me lojtar edhe më cilësor dhe me eksperiencë.
Unë di që po bëhen përpjekje në këtë drejtim për të garantuar një mbështetje më të madhe financiare për skuadrën, megjithatë akoma nuk kam informacion konkret për t’ua përcjellë, shpresojmë së shpejti në arritjen e një marrëveshje me donatorë apo sponsor për të garantuar një mbështetje më të madhe financiare për skuadrën.
Kur nis ky sezon i ri ?
Sezoni nis nga mesi i shtatorit me kupën e federatës ku marrin pjesë katër skuadrat e para të kampionatit të kaluar, Studenti, Tirana, Teuta dhe Vllaznia, ndërkohë kampionati nis disa ditë më vonë, por ende nuk është përcaktuar një datë e saktë.
A keni objektiva konkrete kete sezon ?
Me kontigjentin e lojtarëve aktualë, si objektiv kryesor kemi renditjen mes tri skuadrave të para, por nëse do të ketë ndërhyrje në merkato me një mbështetje më të madhe financiare sigurisht që objektivat ndryshojnë ku kemi mundësi të synojmë edhe trofe.
Intervistoi Monad Fama
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/