· Ende kompania GNV dhe autoritetet italiane e shqiptare nuk kanë dhënë shpjegime për arsyet e vonesës në linjë, nëse janë zëvendësuar plotësisht kabllot, motori, gjeneratorët e zhytur në ujin e kripur, në plotësim të standardeve të sigurisë lundrimore

6 gusht 2015 –  Më së fundi, është nisur drejt portit italian të Barit trageti-kroçerë “Rhapsody” për të hyrë në linjën me Durrësin. Sikurse është bërë e ditur, trageti luksoz i kompanisë GNV duhej të fillonte udhëtimet më 31 korrik 2015. Por në këtë datë “Rhapsody” ndodhej ende në riparim në kantierin detar të Gjenovës pas dështimit në testimin në det të hapur. GNV dërgoi në linjën Bari-Durrës-Bari tragetin tjetër të flotës së saj, “Snav Lazio”.

Nëpërmjet sistemit të identifikimit automatik (AIS), “Dyrrah”-u mësoi se trageti “Rhapsody” u nis nga porti i Gjenovës më 5 gusht 2015, ora 15:29 dhe parashikohet të mbërrijë në Bari më 7 gusht 2015, ora 20:00, ku do t’i nënshtrohet një kontrolli të hollësishëm nga kapitaneria e atjeshme para se të hyjë në linjën me Durrësin. Në orën 17:30 të 6 gushtit 2015 “Rhapsody” po lundronte nëpër detin Tirren drejt jugut të Çizmes për të dalë në Adriatik.

Nuk dihet pse ky anije e madhe 44 307 tonë mban ende flamur maltez. Nga ana tjetër, Ministra e Transportit dhe Infrastrukturës në Tiranë i ka bërë thirrje Romës të mos jetë kaq dorëlëshuar për standardet e sigurisë lundrimore në drejtim të Shqipërisë. “Rhapsody” (ish-“Napoléon Bonaparte” me flamur francez) në natën e 27-28 tetorit 2012 u përplas me kalatën e portit të Marsejës, duke pësuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht nuk pati humbje në njerëz.

Kompania italiane që e bleu lirë, e riparoi, por pati probleme në testim, duke vonuar hyrjen në linjë me një javë vonesë. Ende kompania GNV dhe autoritetet italiane e shqiptare nuk kanë dhënë shpjegime për arsyet e vonesës në linjë, nëse janë zëvendësuar plotësisht kabllot, motori, gjeneratorët e zhytur në ujin e kripur, në plotësim të standardeve të sigurisë lundrimore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/