6 gusht 2015 – Fantastike, nuk është më ëndërr, por realitet, Skënderbeu është e para skuadër shqiptare që avancon në play-offin e Champions League. Kampionët e Shqipërisë kanë hapur dyert e parajsës në Elbasan Arena duke i dhënë një tjetër leksion Milsamit që është mposhtur me rezultatin 2-0. Mes euforisë për kualifikimin historik të Skënderbeut, trajneri Mirel Josa i ka idetë e qarta. Përfundimi i turit të tretë kualifikues në Champions League, zyrtarizon edhe kundërshtarët e mundshëm të korçarëve në fazën “play-off”. Ato janë Basel, pikërisht Celtic, APOEL Nicosia, BATE Borisov dhe Dinamo e Zagrebit. Këto janë kokat e serisë në shortin e mesditës së të premtes në Nyon. Skënderbeu ndodhet në vazon e skuadrave jo-favorite, përkrah Maccabi Tel-Aviv, Partizan Belgrade, Malmö FF dhe FK Astana. Dëshira e Josës për t’u përballur me Celtic, duket logjike, edhe pse bazuar në koeficientët e UEFA-s, skocezët cilësohen si ekipi i dytë më i fortë në short.
Tekniku i Skënderbeut duket se i trembet mbi të gjitha eksperiencës së rivalëve të tjerë. Basel, BATE dhe APOEL janë të familjarizuara me Champions dhe luajtën në fazën e grupeve gjatë edicionit të kaluar. Ndërkohë, Dinamo e Zagrebit mbetet një prej klubeve më të rëndësishme në Europën Lindore. Në Korçë kryqëzojnë gishtat. Me kualifikimin deri në këtë fazë dhe vendin e garantuar të paktën në grupet e Europa League, tani skuadra e rekordeve në Shqipëri kërkon arritjen historike. Grupet e Champions janë një hap larg dhe vetëm 180 minuta i ndajnë nga ëndrra.
Kjo theksohej në faqen zyrtare të UEFA-s, ku mes klubeve të mbetura në garë, Skënderbeu dhe Astana nga Kazakistani kanë shansin të bëhen ekipet e para të vendeve përkatëse, që luajnë mes më të mirëve të kontinentit. Përsa i takon ecurisë së skuadrave jo kampione, garës i bashkohen Manchester United, Valencia, Bayer Leverkusen, Sporting dhe Lazio, me italianët që ndodhen në vazon e jo-favoritëve. Ndeshjet e para play-off të Champions League do të luhen më 18 dhe 19 gusht, ndërsa sfidat e kthimit më 25 dhe 26 gusht. Dhjetë ekipet fituese do t'i bashkohen të kualifikuarave direkt në fazën e grupeve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/