5 gusht 2015 – Dorian Kërçiku drejt largimit nga Tirana. Nga burime të sigurta pranë klubit bardheblu mësohet se ditën e djeshme, mesfushori kryeqytetas ka kërkuar leje-kalimin nga ana e drejtuesve të 24 herë kampionëve të vendit. Në këto kusht, “divorci” mes Dorian Kërçikut dhe Tiranës është i pashmangshëm.

Arseja duket se ka qenë pakënaqësia e mesfushorit, duke parë se nuk ka marrë siguri për të qenë në formacionin titullar për sezonin e ri. Prej disa ditësh, futbollisti ndodhet në kryeqytet, ndërsa siç është bërë me dije edhe më parë ka mbërritur në Tiranë përpara se skuadra të përfundonte fazën përgatitore të zhvilluar në Maqedoni. Largimi i Kërçikut nga Mavrova ka qenë për faktin se futbollisti kishte ndjerë shqetësime në kavilje. Pas ekzaminimit, rezonanca e zhvilluar nuk ka treguar ndonjë shqetësim serioz, ndërsa 22-vjeçari mendohej se do të dilte në stërvitje me Tiranën ditën e sotme. Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi Kërçiku tashmë duket se do të zyrtarizojë largimin nga bardheblutë.

Mësohet se mesfushori kërkohet nga Teuta, por nga klubi i djemve të detit ende nuk ka një deklaratë zyrtare nëse po arrihet një marrëveshje me këtë lojtar apo jo, megjithatë negociatat për adrimin e Kërçikut tek Teuta kanë disa ditë që kanë filluar.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/