4 gusht 2015 –  Fermerët durrsakë e krutanë mbjellin gjithmonë e më pak grurë. Sipas statistikave operative të drejtorisë rajonale të bujqësisë për qarkun, deri më 20 korrik 2015 ishin korrur 1 532 ha me grurë në Durrës dhe 870 ha në Krujë, gjithsej 2 402 ha, ku u prodhuan 9 115 tonë. Bie në sy se janë mbjellë 6 480 hektarë me foragjere të dyta; 3 775 ha me misër; 2 471 ha me perime të para fushe, përveç 79 ha në sera; 1 351 ha me fasule 461 ha me patate.

Në kushtet e ekonomisë së tregut fermeri kupton me intuitë se cila kulturë bujqësore jep më shumë të ardhura. Gruri vendës nuk përballon dot çmimet e atij të importit. Referuar statistikave zyrtare të 6-mujorit të parë të vitit 2015 të Autoritetit Portual Durrës, janë importuar, kryesisht, nga Rusia 82 357 tonë grurë. Si koincidencë, më 5,6, 7 gusht 2015 priten të mbërrijnë në portin kryesor të vendit edhe 3 anije me mbi 11 mijë tonë, ndërkohë nga 27 korriku deri më 4 gusht 2015 janë shkarkuar dhe 3 anije të tjera me grurë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/