*Vëllai i biznesmenit i akuzon: Më kërcënuan, kërkojnë 150 mijë euro
4gusht 2015 – Vazhdon misteri i aksidentit që çoi në zhdukjen e 100 mijë eurove. Familjarët e viktimës Bujana Bushi, e cila vdiq në Gosë të Kavajës kanë takuar sot kreun e shtetit, Bujar Nishani nga i cili kanë kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes, për të cilën thonë se nuk është aksident, por dyshojnë për vrasje dhe grabitje. Sipas Panoramës, pas takimit me Nishanin, në një deklaratë për media, në prani edhe të djalit të vogël të viktimës ata kanë akuzuar policinë për fshehje të ngjarjes.
“Ata po pinë birra sot dhe kanë bërë makabër, kanë paguar për të mbuluar aksidentin e mbesës sime dhe nënës së këtij djali”, tha daja i viktimës.
Sipas tij, mënyra se si rrodhën ngjarjet pas aksidentit lë të dyshosh se ajo mund të ishte vrasje dhe grabitje.
“Më lind të dyshoj që e kanë marrë për të rrjepur, përderisa mua nuk më treguan vendin ku është vrarë, nuk më dhanë fletën e policisë të shoqërimit, firmën në spital, vajza ishte e deformuar në fytyrë, e carë, me sy të dalë”- tha ai.
Familjarët kanë nxjerrë edhe djalin e vogël, i cili ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës. “I kërkoj shtetit të zbardhe të vërtetën që unë të jetoj pa hasmëri”- tha djali, i ndihmuar edhe nga daja i mamasë.
Familjarët iu referuan sërish cantës me 100 mijë euro, orës së shtrenjtë 28 mijë euro dhe sendeve të tjera që viktima kishte me vete, edhe pse shtuan se ‘nuk u duhen rraqet, por drejtesia, kush e mori vajzen ne makine dhe çfarë i bënë”.
Më herët, vëllai i biznesmenit Kosta Taçi, i cili mori në makinë ekonomisten Bujana Bushi, Astriti, tregon se familjarët e viktimës e kanë kërcënuar. “Ditën e aksidentit ma dha policia çantën. Makina ishte e kunatës sime dhe mendova se çanta ishte e saj. E futa në bagazhin e makinës sime. Siç mora të gjitha sendet e tjera që ishin në makinë, se makina ishte dëmtuar e do shkonte në pikë bllokimi”. Sipas tij, nuk ka pasur dijeni dhe as nuk e ka hapur çantën të shikonte ç’kishte brenda.
“Të nesërmen më mori në telefon të nesërmen një prej oficerëve të policisë së Kavajës dhe më tha që çanta i përkiste Bujana Bushit dhe e kërkonin familjarët e saj. Unë i mora ata në telefon dhe u thashë që ishte në makinën time, t’ua dorëzoja, por ata më thanë nuk të njohim ty e s’kemi punë me ty. Kam shkuar dhe i kam dorëzuar çantën në policinë e Kavajës një oficeri me procesverbal. Ata kanë hedhur pretendime për 150 mijë euro. Familjarët e Bujana Bushit, xhaxhai, daja e kushërinjtë më kanë ardhur dy herë në dyqanin tim. Erdhën dje, (të dielën), e mi kërkuan 150 mijë euro gruas dhe fëmijëve. Ata ishin në dyqan. Unë sot, (të hënën në mëngjes) i kam denoncuar në polici”, tha ai, duke e konsideruar trillim zhdukjen e parave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





