4 gusht 2015 – Ka gjithmonë një herë të parë. Vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s për të dënuar Kukësin me humbje në tavolinë 3-0 për shkak të dhunës së tifozëve, është një precedent i panjohur pasi për herë të parë ndaj një klubi merret një vendim i tillë për shkak të tifozëve. Gjithsesi, dënimet e ngjashme të UEFA-s për klubet shqiptare në të shkuarën me humbje në tavolinë nuk kanë munguar. Në edicionin e vitit 1982-1983 të Ligës së Kampioneve, Tirana eleminoi irlandezo-veriorët e Linfield në turnin e parë, por dy sfidat e radhës UEFA vendosi fitore në tavolinë për Dinamon e Kievit, pasi bardheblutë nuk udhëtuan drejt Bashkimit Sovjetik për arsye politike.
Në vitin 1987, Partizani e humbi ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve në Lisbonë kundër Benfikës 4-0 por më shumë se humbja, lajmi i vërtetë në atë kohë ishte përjashtimi me karton të kuq i Perlat Mustës, Lorenc Leskajt, Arjan Hametajt dhe Niko Frashërit. Gjithçka nisi në minutën e 56-të kur arbitri Perez dha një faull për skuadrën e Sven Goran Erikson, kjo ngjalli reagimin e lojtarëve shqiptarë pasi ai tregoi edhe kartonin e kuq për portierin Musta.Deri në minutat e fundit, gjyqtari e la Partizanin me 7 lojtarë. Ndeshja u mbyll ne minuten 101′ me 11 minuta shtesë, duke vendosur edhe një rekord në atë kohë në kompeticionet europiane. UEFA veproi menjëherë me dorë të hekurt duke dënuar Partizanin dhe ndeshja e dytë nuk u zhvillua pasi portugezët fituan 3-0 në tavolinë.
Në vitin 1998 ishte radha e Vllaznisë që të ndiente dorën e rëndë të UEFA-s. Përballja e turit të parë të Champions League në Tbilisi kundër Dinamos përfundoi 1-0 për gjeorgjianët, por një gabim në protokoll nga ana e shkodranëve bëri që institucioni më i lartë i futbollit europian t’i jepte fitoren 3-0 në tavolinë vendasve. Pavarësisht suksesit 3-1 të regjistruar në ndeshjen e kthimit, kuqeblutë i dhanë lamtumirën evenimentit. Por nëse klubet shqiptare e kanë pësuar nga vendimet e institucionit më të lartë të futbollit europian, Kombëtarja Shqiptare nuk ka precedentë të tillë edhe pse UEFA e dënoi me humbje 3-0 dhe më pas KAS e zhvlërësoi vendimin për ngjarjet e ndodhura në Beograd.
Në vitin 2005, FIFA i dënoi kuqezinjtë ta luanin takimin kundër Gjeorgjisë në “Qemal Stafa” pa praninë e tifozëve për shkak sendeve të forta të hedhura në fushë në takimin eleminator të Botërorit kundër Ukrainës dhe ky u vlerësua si incident i përsëritur.
Një histori e gjatë dhe e dhimbshme për klubet shqiptare që janë përballur me vendimet ekstreme të organeve disiplinore të UEFA-s. I fundit në radhë është Kukësi që duhet të shërbejë si një leksion për të ardhmen e futbollit shqiptar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/