4 gusht 2015 – Presidenti aktual i Milanit, Silvio Berluskoni ka nënshkruar një para-kontratë me biznesmenin tajlandez Bee Taechaubol për shitjen e 48 % të aksioneve të Milanit. Kjo marrëveshje do t’i kushtojë tajlandezit rreth 500 milionë euro, ndërsa pagesa dhe transferimi i aksioneve është parashikuar të kryhet deri më 30 shtator.
Aktualisht AC Milan është në pronësi të kompanisë së familjes Berluskoni “Fininvest” që gjithashtu kanë në pronësi rrjetin televiziv italian “Mediaset”. Kompania “Fininvest” do t’i delegojë biznesmenit tajlandez të gjitha kompetencat e nevojshme, në mënyrë që ky i fundit të ndërtojë kuotat e Milanit në bursën e Hong Kongut.
Me marrëveshjen e re, Silvio Berluskoni do të vazhdojë të mbajë postin e presidentit të klubit, ndërsa ortaku i tij i ri “Mr. Bi” do të jetë zëvendëspresident. Gjithashtu me këtë marrëveshje ndryshon dhe organigrama e Milanit, ku mësohet se dy administratorëve aktualë, Adriano Galianit që mbulon aspektin sportiv dhe Barbara Berluskonit që mbulon menaxhimin e markës Milan në Europë, i shtohet dhe një administrator i tretë i cili do të “marketojë Milanin në botë, kryesisht në kontinentin aziatik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/