4 gusht 2015 – Humbje në tavolinë me rezultatin 0-3, 70 mijë euro gjobë dhe dy ndeshje pa tifozë në shtëpi për ndeshjet e radhës në Europë.
Ky është vendimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës në UEFA pas ngjarjeve të së enjtes në stadiumin “Qemal Stafa” kundër Leagias së Varshavës. Takimi u ndërpre në minutën e 52-të pas një guri të hedhur nga shkallët e stadiumit që dëmtoi në kokë sllovakun Duda. Kjo ngjarje detyroi arbitrin kryesor të tërhiqte skuadrat në dhomat e zhveshjes dhe në bashkëpunim me shefin e sigurisë së UEFA-s, u mor vendimi për pezullimin e takimit kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 2-1 për skuadrën polake.
Në këtë mënyrë, Kukësi duhet të udhëtojë drejt Varshavës për të zhvilluar ndeshjen e kthimit, pasi vendimi i Komisionit të Disiplinës nuk parashikon përjashtimin e skuadrës nënkampione nga Europa League.
Humbja 0-3 në tavolinë e bën pothuajse të pamundur misionin e Kukësit për të vazhduar më tej në fazën e tretë të Europa League, ndërsa një tjetër masë që e prek skuadrën është edhe mungesa e tifozëve vendas në dy ndeshjet e radhës në Europa League ose Champions League.
Në këtë mënyrë, ekipi i presidentit Gjici eviton masën më drastike, atë të përjashtimit nga kompeticionet europiane. Takimi i kthimit mes Leagia së Varshavës dhe Kukësit do të luhet normalisht të enjten në orën 21:00 në stadiumin e kryeqytetit të Polonisë “Polish Army Stadium”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/