3 gusht 2015 – Pas takimit të dy ditëve më parë me përfaqësues të tifogrupit “Ujqërit e Dëborës”, Ardjan Takaj vazhdon të marrë masa për të shtuar sigurinë. Presidenti kërkon një stadium të blinduar më 5 gusht. Numri një i klubit bardhekuq ka theksuar se kontrollet do të jenë shumë të rrepta, pasi vetëm kështu do të shmanget çdo incident i mundshëm në “Elbasan Arena”.
Veç forcave të rendit që do të vendosen nga Policia e Shtetit, ai ka menduar që të ketë edhe punonjës privatë sigurie, që do të shtrëngojnë kontrollet e imtësishme. Nuk do të jenë të paktë në numër, por 120 stjuartë që do të merren me sigurinë.
Sipas asaj që raporton klubi bardhekuq, këta punonjës shtesë do të paguhen nga vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili kërkon që ndeshja e kthimit me Milsamit të jetë perfekte. Ndryshe nga çdo takim tjetër i arenës ndërkombëtare që është luajtur në Shqipëri, ky kundër Milsamit do të karakterizohet nga rregulla të ashpra. Asnjë send i rrezikshëm apo dyshues nuk do të lejohet që të futet në shkallët e stadiumit ditën e mërkurë.
Ka qenë vetë presidenti i Skënderbeut që ka deklaruar një gjë të tillë, teksa ka theksuar se do të jetë ai i pari që do t’i nënshtrohet këtij kontrolli.
“Në këtë takim, kontrolli do të jetë shumë i detajuar. Madje, edhe unë vetë do t’i nënshtrohem këtij kontrolli, me qëllim që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për ta kthyer në festë, duhet të jemi tejet të përgjegjshëm për gjithçka që do të ndodhë në fushën e lojës dhe në shkallët e stadiumit. Masat e sigurisë do të jenë shumë të forta, ndaj askush që do të futet në ‘Elbasan Arena’ nuk do të mund t’i shpëtojë kontrollit”, deklaroi presidenti i Skënderbeut.
Më tej, Ardjan Takaj dha edhe disa këshilla për duhanpirësit, të cilëve u kërkoi që të mërkurën të përdorin shkrepëset, pasi çakmakët nuk do t’u lejohen.
“Sigurisht që jemi të interesuar që edhe sendi më i vogël, në dukje i parëndësishëm, të mos hyjë në stadium. Prandaj u bëj thirrje të gjithë tifozëve që pinë duhan, se çakmakët nuk duhet t’i marrin me vete atë ditë. Le të zgjedhin shkrepëset të mërkurën, pasi ky mjet është i ndaluar. Sakaq, dua të shtoj se edhe monedhat e hekurit do të jenë të ndaluara. Të gjitha këto po i bëj me dije që të gjithë ta kenë të qartë dhe të jenë të parapërgatitur”, përfundoi presidenti Takaj, duke bërë kështu edhe një lajmërim për të gjithë sportdashësit
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/