31 korrik 2015 – Presidenti Safet Gjici i Kukësit ka qenë njeriu i cili i ka përjetuar psikologjikisht më shumë ngjarjet e mbrëmshme në stadiumin “Qemal Stafa”.

“Fatura” e ndërprerjes së ndeshjes Kukësi-Legia (1-2) në minutën e 52-të, një rast i paprecedentë në futbollin shqiptar, lidhet me emrin e skuadrës që ai drejton dhe ka investuar shuma të mëdha financiare prej 4 vitesh, por edhe me emrin e tij personal si biznesmen dhe si ish-Prefekt i qarkut të Kukësit.

Edhe pse i indinjuar për mënyrën se si gjyqtari zviceran e përfundoi takimin pas atij incidenti ndaj sllovakut Duda, ai do të distancohej nga dhuna, por do të ndihej më tepër se kurrë i zhgënjyer edhe nga veprimet e tifozerisë kuksiane.

“Do ta rishoh pozicion tim te Kukësi. Do të mendohem gjatë këtyre ditëve dhe do të vendos. Eshtë një situatë që nuk i shkon aspak përshtat Kukësit dhe synimeve që ka ky klub. Kemi bërë gjithçka për këtë skuadër e për këtë tifozeri dhe nuk e meritonim kurrsesi që të ndodhte kështu”, u shpreh presidenti Gjici pas ndeshjes.

Nuk është hera e parë që presidenti Gjici shprehet i pakënaqur nga sjellja e tifozerisë së Kukësit. Mëoset se skuadra dhe klubi kuksian gjatë këtyre tri viteve pjesëmarrje në kupat e Europës, nuk ka përfituar thuajse asgjë nga ana financiare, pasi është detyruar të paguajë gjobat e marra nga UEFA për sjelljet e tifozerisë kuksiane në kundërshtim me rregulloret dhe etikën e futbollit ndërkombëtar.

Gjithsesi, në ditët në vijim do të mësojmë edhe qëndrimin e presidentit Safet Gjici, i cili kësaj here është përballë një rasti krejt të veçantë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/